19 raste të reja janë regjistruar me koronavirus në 24 orët e fundit, duke e çuar në 494 numrin e përgjithshëm me koronavirus në vend.
Siç vërehet edhe në hartën e ilustruar më poshtë, rastet e reja janë në Tiranë (11), Krujë (1), Korçë (1), Elbasan (1), dhe Kukës (5).
Ministria e Shëndetësisë njoftoi se një nga rastet e reja në Kukës, është një tjetër anëtar i personelit shëndetësor.
Infermieri i konfirmuar dje në Kukës, ka infektuar edhe 4 familjarë dhe një koleg të tij duke e çuar numrin e të prekurve në Kukës në 6 persona.
Edhe pse sot janë 19 raste të reja, pavarësisht luhatjeve ditore, kurba mbetet e qëndrueshme dhe situata është krejtësisht e kontrolluar.
Ndërkohë numri i viktimave ka shkuar në 25. Mëngjesin e sotëm ka ndërruar jetë në spitalin infektiv një pacient 90-vjeç nga Fieri, i cili ishte i intubuar prej 11 ditësh.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pacienti vuante nga diabeti, astma bronkiale dhe hipertensioni.
Ndërkohë ka edhe një lajm të mirë, 3 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në vend, në 251.