Pas shumë paralajmërimeve, presidenti amerikan Donald Trump thotë se ai ka udhëzuar administratën e tij që të ndërpresë fondet për Organizatën Botërore të Shëndetit (OBSH).
Trump tha se OBSH kishte “dështuar në detyrën e saj themelore” në përgjigjen ndaj shpërthimit të koronavirusit.
Ai akuzoi organin e Kombeve të Bashkuara për keqmenaxhimin dhe mbulimin e përhapjes së virusit pasi u shfaq në Kinë, dhe shtoi se duhet të mbajë përgjegjësi. Trump e kishte akuzuar dhe më parë OBSH-në për njëanshmëri ndaj Kinës.
“Unë po e udhëzoj administratën time për të ndaluar fondet ndërsa është bërë një rishikim për të vlerësuar rolin e Organizatës Botërore të Shëndetit në keqmenaxhimin dhe mbulimin e përhapjes së koronavirusit”- tha Trump në një konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardhë, citon BBC.
“OBSH dështoi në detyrën e saj themelore dhe duhet të mbahet përgjegjëse”– shtoi ai.
Pas deklaratës së Trump, pati një reagim nga Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres, i cili tha se tani nuk ishte “koha për të shkurtuar fondet për OBSH-në”.
SHBA është burimi më i madh i fondeve për OBSH-në, duke i siguruar 400 milion dollarë vitin e kaluar, pra rreth 15% të buxhetit të përgjithshëm. Ndërsa kontributi i Kinës në periudhën 2018-19 ishte pothuajse 76 milion dollarë dhe rreth 10 milion dollarë të tjera në fonde vullnetare, sipas faqes së internetit të OBSH-së.