Sipas një dokumenti sekret, zyrtarët e lartë kinezë e kanë raportuar gjashtë ditë me vonesë lajmin se po përballeshin me një epidemi në qytetin e Wuhanit.
Associated Press shkruan se pasi zyrtarët e lartë ranë dakord fshehurazi se po përballeshin me një epidemi, presidenti kinez Xi Jinping e raportoi ekzistencën e koronavirusit vetëm ditën e shtatë.
Pra gjashtë ditë me vonesë.
Kjo vonesë nga 14 janari deri më 20 janar nuk ishte as gabimi i parë i bërë nga zyrtarët në lidhje me shpërthimin e koronavirusit, pasi qeveritë në të gjithë botën kanë nisur me vonesë marrjen e masav e.
Por vonesa nga vendi i parë për t’u përballur me koronavirusin e ri erdhi në një kohë kritike, që ishte pikërisht fillimi i shpërthimit të epidemisë. Njoftimi u bë vetëm në datën 20, kur ndërkohë në Wuhan ishin infektuar më shumë se 3000 njerëz.
“Kjo është jashtëzakonisht shqetësuese”– tha Zuo-Feng Zhang, një epidemiolog në Universitetin e Kalifornisë, në Los Angeles.
“Nëse do të ndërmerrnin veprime gjashtë ditë më parë, do të kishte shumë më pak pacientë dhe objektet mjekësore do të ishin të mjaftueshme. Ne mund të kishim shmangur rrëzimin e sistemit mjekësor të Wuhan.”
Ekspertë të tjerë vunë re se qeveria kineze mund të ketë pritur të paralajmërojë publikun për të ndaluar histerinë, dhe se ajo veproi shpejt në mënyrë private në atë kohë.
Por sipas buletinëve të fshehtë që AP pretendon se zotëron, tregojnë se vonesa gjashtë-ditore nga udhëheqësit e Kinës në Pekin erdhi gati dy javë pasi Qendra Kombëtare e Kontrollit të Sëmundjeve nuk kishte regjistruar asnjë rast nga zyrtarët lokalë edhe pse qartësisht kishte të sëmurë.
Gjatë kësaj kohe, nga 5 janari deri në 17 janar, qindra pacientë po paraqiteshin në spitale jo vetëm në Wuhan, por në të gjithë vendin. Është e paqartë nëse ishin zyrtarët lokalë ata që nuk arritën të raportojnë raste apo zyrtarët kombëtar që nuk arritën t’i regjistrojnë ato. Nuk është gjithashtu e qartë se çfarë zyrtarët dinin në atë kohë në Wuhan.
Por, çka është e qartë, thonë ekspertët, është se kontrollet e ngurta të Kinës për informacionin, pengesat burokratike dhe një ngurrim për të dërguar lajmet e këqija në zinxhirin e komandës, mbytën zërat paralajmërues. Ndëshkimi i tetë mjekëve për “thashetheme“, transmetuar në televizionin kombëtar në 2 janar, përçoi mesazh armiqësie në spitalet e qytetit.
“Mjekët në Wuhan kishin frikë”– tha Dali Yang, një profesor i politikës kineze në Universitetin e Çikagos. “Ishte me të vërtetë frikë e një profesioni të tërë.”
Pa këto raporte të brendshme, u desh që të konfirmohej çështja e parë jashtë Kinës, (në Tajlandë më 13 janar), për të nxitur udhëheqësit në Pekin të njoftonin për pandeminë e mundshme para tyre.
Vetëm atëherë ata filluan një plan mbarëkombëtar për të gjetur rastet me sëmundjen.