Një specialiste gjermane e ligjit mjekësor që nisi një betejë të ashpër kundër rregullave të bllokimit lidhur me Covid-19 nga ana e qeverisë u dërgua në një institucion të shëndetit mendor, pasi shprehu frikën se ishte nën shënjestrën e ‘vrasësve’.
Beate Bahner kishte pohuar vazhdimisht se masat e marra nga Berlini për të penguar përhapjen e Covid-19 nuk kërcënojnë asgjë më pak se vetë rendin kushtetues të kombit. Avokatja nga qyteti gjerman i Heidelberg, u detyrua të kalojë nja dy ditë në një repart psikiatrik lokal pasi takimi i saj me policinë shkoi jashtëzakonisht keq.
Ajo tashmë kishte qenë nën hetimin e policisë mbi “thirrjet për veprim të paligjshëm” pasi u kërkoi gjermanëve të dilnin në një demonstratë mbarëkombëtare kundër bllokimit të dielën e kaluar, duke kundërshtuar hapur urdhrin për ndalimin e tubimeve publike.
Bahner është e njohur në Gjermani si një specialiste me përvojë në të drejtën mjekësore, duke shkruar disa libra për çështje të lidhura me fushën në fjalë.
Teksa Berlini shtrëngoi rregullat e distancimit shoqëror që synonin të pengonin përhapjen e sëmundjes, avokatja u bë një nga kundërshtaret më të forta të bllokimit, duke bërë që media gjermane ta quajë atë “avokatin e koronavirusit”.
Bahner vazhdimisht pohoi se koronavirusi është praktikisht i padëmshëm për shumicën e njerëzve dhe mund të prekë vetëm rreth pesë përqind të popullatës.
Për më tepër, masat e karantinës së qeverisë gjermane – përfshirë mbylljen e të gjitha bizneseve jo thelbësore, anulimin e festivaleve dhe ngjarjeve sportive dhe ndalimin e të gjitha tubimeve publike – dëmtojnë kombin shumë më tepër se virusi, argumentoi ajo.