Presidenti Ilir Meta ka treguar se gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurisë Kombëtare ka pasur një debat mes kryetarit të opozitës Lulzim Basha dhe kryeministrit Edi Rama.
Kreu i shtetit tregoi në një intervistë për emisionin Open dy pikat e përplasjes. Meta nënvizoi nevojën e më shumë testeve. Kjo do të shërbente në hapjen e sigurt të vendit, tha Meta.
Është folur shumë në media se ka pasur debat mes Bashës dhe Ramës, kishte debat?– u pyet nga moderatorja.
“Do shqetësohesha po të mos kishte pasur debat, lidhur me pikëpamjet e ndryshme për çështje të caktuara. Është një sfidë që kërkon kohën e saj. Të gjithë në Shqipëri i kanë shërbyer zgjidhjes së krizës. Askush nuk është kundër kufizimeve, flitet vetëm për mënyrën e tyre”- tha Meta.
Debati ishte për ekonominë?- vijoi me pyetjet Eni Vasili.
“Nuk dua të bëhem zëdhënës i debateve të kësaj mbledhje. Nuk është sekret që opozita insiston tek testimet. Testimet kanë ardhur në rritje graduale, do të rriten edhe më tej. Nuk mendoj se qeveria është kundër. Është e domosdoshme të rritet numri i testimeve në shërbim të hapjes për ekonominë”- u shpreh presidenti.