Vendosni fjalën kyçe....

Në kërkim për ekzekutimin e ish-policit, prangoset në Tiranë anëtari i klanit Duka


Është ndaluar ditën e sotme Ilir Selmani, një nga personat e shpallur në kërkim për ekzekutimin e ish-efektivit të policisë, Santiago Malko, në gusht të vitit 2019.

Ai është ndaluar nga forcat Shqiponja ndërsa ishte në kërkim prej më shumë se 7 muajsh.

Selmani akuzohet si pjesë e klanit Duka dhe si një nga personat e përfshirë në vrasjen e ish-policit në rrugën Xhanfize Keko në Tiranë.

Ai është ndaluar sot në një apartament në zonën e Xhamllikut ku qëndronte bashkë me disa persona të tjerë.

NJOFTIMI

Operacioni, nga Komisariati i Policisë Nr. 2 dhe Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Finalizimi i operacionit, pas një pune disajavore, me metoda speciale të hetimit.

Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit S. M., ndodhur në gusht të vitit 2019.

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, në vijim të punës për kapjen e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore në fushën e krimeve ndaj personit, gjatë mesditës së sotme kanë finalizuar operacionin të koduar “Gjurmimi”, në kuadër të të cilit, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 dhe Sektori për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në rrugën “Endri Keko”, u bë e mundur kapja dhe prangosja e shtetasit Ilir Selmani, 35 vjeç, banues në Tiranë.

Për këtë shtetas, Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë ka vendosur masën e sigurimit personal “Arrest në burg”, si i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Vrasja me paramendim” dhe “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”, të kryera në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal.

Shtetasit Ilir Selmani, në momentin e kapjes nga Policia, i është gjetur dhe sekuestruar një armë zjarri tip pistoletë dhe municion luftarak.

Ky shtetas është një nga personat e dyshuar të ngjarjes së ndodhur me datë 27.08.2019, në rrugën “Xhanfize Keko”, ku ka mbetur i vrarë me armë zjarri shtetasi S. M.

Vijon puna për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje dhe aktivitetit kriminal të shtetasit Ilir Selmani.

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *