Policia greke ka gjobitur 12 shqiptarë me 300 euro gjobë secilin në KTEL Kifissos, kjo në kuadër të masave të marra për kufizimin e udhëtimeve të panevojshme për shkak të koronavirusit.
Gazeta greke iefimerida.gr. shkruan se të 12 shqiptarët u kapën duke udhëtuar pa pasur lejen e nevojshme për në Igoumenicë dhe prej andej do të vinin për në Shqipëri.
Emigrantët shqiptarë u thanë autoriteteve të Policisë se ishin punëtorë në Mykonos dhe se donin të shkonin në vendin e tyre.
Megjithatë, policia i zbriti të gjithë nga autobusi, u vuri gjobën dhe urdhëroi largimin e autobusit për në Igoumenicë pa asnjë pasagjer.
Vihet re se ditët e fundit, edhe pse është e ndaluar lëvizja për shkak të koronavirusit, trafiku në KTEL Kifissos është rritur pasi nga çdo cep i Greqisë vijnë në Athinë me produkte nga fshati, për festën e Pashkëve.