Danimarka do të lejojë edhe disa biznese, të tilla si parukeritë, sallonet e bukurisë dhe auto-shkollat, të rihapen nga data 20 prill.
Ato dhe të tjera janë mbyllur prej disa javësh për të frenuar përhapjen e koronavirusit.
“Askush nuk dëshiron ta mbajë Danimarkën të mbyllur më shumë seç është e nevojshme”, tha kryeministrja Mette Frederikse.
Vendimi vjen pasi disa vende të tjera evropiane, përfshirë Austrinë dhe Gjermaninë, kanë bërë publike masa të ngjashme për dalje nga izolimi.
Të mërkurën, Danimarka ka rihapur edhe çerdhet dhe shkollat fillore, pasi lakorja e të infektuarve me koronavirus në këtë vend është rrafshuar.
Megjithatë, kufijtë, restorantet dhe baret atje do të mbeten të mbyllura edhe për një kohë.
Danimarka ka rreth 7,000 të infektuar me koronavirus, ndërsa 321 pacientë atje kanë humbur jetën.