Një 69-vjeçar ka ndërruar jetë sot në spitalin infektiv në Tiranë.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, pacienti nga Shkodra ishte i prekur nga Covid-19 por ndërroi jetë për shkak të hemorragjisë cerebrale. Në njoftimin e ministrisë thuhet se pacienti kishte tumor në kokë dhe kishte kryer 3 ndëhyrje kirurgjikale.
“Pacienti 69-vjeçar nga Shkodra që ka ndërruar jetë në spitalin infektiv, ka humbur jetën si pasojë e sëmundjes hemoragjisë cerebrale (aksidentit vascular hemoragjik).
69-vjeçari ishte prej 13 vitesh me tumor në kokë dhe kishte kryer 3 ndërhyrje. Kishte hemorragji cerebrale dhe ishte në gjendje të rëndë në koma.
Sipas spitalit infektiv, 69-vjeçari nuk ka ndërruar jetë si pasojë e COVID-19, pasi ishte bartës i virusit, por pa shenja të sëmundjes, (asimptomatik) dhe ka ndërruar jetë si pasojë e hemoragjisë cerebrale.
Ministria e Shëndetësisë i shpreh ngushëllime familjes së të ndjerit dhe informon se do të mbajë të informuar publikun për çdo zhvillim, ndaj lutemi t’i referoheni njoftimeve zyrtare.” – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë.