Ministria e Shëndetësisë i është përgjigjur akuzave të opozitës, lidhur me mbrojtjen e personelit shëndetësor, duke thënë se procedurat për pajisjet mbrojtëse janë blerë duke zbatuar ligjin.
Në një njoftim për mediat, Ministria e Shëndetësisë i kërkon zyrtarëve të opozitës të mos hedhin baltë e të jenë bashkëpunues.
“Në përgjigje të akuzave të rradhës dhe të strategjisë së njohur të Partisë Demokratike “shpif, shpif se dicka do mbetet”, kësaj rradhe në drejtim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, për masat e shpejta që u morën për mbrojtjen e personelit shëndetësor, sqaron për publikun se procedurat për blerjen e materialeve të mbrojtjes personale për mjekët dhe infermierët gjatë kësaj epidemie, janë zhvilluar duke zbatuar legjislacionin në fuqi.
Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale i kërkon edhe një herë Partisë Demokratike të mos hedhë baltë mbi punën dhe sakrificën e specialistëve që punojnë ditë e natë në këtë ministri, në garë me kohën për të siguruar çdo mjet të nevojshëm në këtë luftë, që personeli mjekësor të jetë i mbrojtur dhe të punojë me standarde. Ministrisa e Shëndetësisë është e hapur për çdo hetim nga organet e drejtësisë, një orë e më parë!
Shpifjet e rradhës nuk do e ndihmojnë dot Partinë Demokratike të dalë nga bataku ku e ka katandisur veten, në vend që sot të ishte shembull i një opozite konstruktuve dhe bashkëpunuese.
Ministria e Shëndetësisë ka siguruar dhe do të vazhdojë të sigurojë – duke zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin – mjetet e mbrojtjes personale për personelin mjekësor në këtë situatë pandemie, sepse prioritet i yni është mbrojtja e shëndetit të mjekëve, infermierëve dhe stafeve mbështetëse që ndodhen në vijën e parë të zjarrit, në këtë krizë të paprecedent.”- thuhet në njoftim.
Paraditen e sotme, ish-deputetetët e PD-së Albana Vokshi dhe Enkelejd Alibeaj dolën para Ministrisë së Shëndetësisë, duke akuzuar qeverinë për tenderin prej 3.5 milion dollarë të materialeve mbrojtëse shëndetësore.
Vokshi tha se Ministria e Shëndetësisë i ka blerë këto pajisje mjekësore me dyfishin e çmimit të tregut.
Ndërsa Alibeaj tha se PD kishte siguruar dokumente nga Dogana Shqiptare, të cilat provojnë abuzimin me kontratat e shpallura sekrete nga qeveria.