Sot është afati i fundit për të aplikuar për “pagën e luftës” nga Paketa e parë financiare.
Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka njoftuar qytetarët se do të kenë mundësi të aplikojnë deri në orën 12:00. Ndërsa do të vijojë procesi i trajtimit të ankesave dhe kërkesave të dërguara në lidhje me refuzimin e aplikimeve.
“Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve njofton të gjithë tatimpaguesit dhe individët e interesuar se afati i fundit i aplikimit për përfitimin e ndihmës financiare sipas Paketës nr.1 “VKM nr.254 datë 27.03.2020”, është në oren 12:00 të datës 18.04.2020, Ju informojmë gjithashtu, se në çdo Drejtori Rajonale Tatimore, vijon procesi i trajtimit të ankesave/kërkesave të dërguara në lidhje me refuzimin e aplikimeve.
Ky proçes do të vijojë edhe pas përfundimit të afatit të aplikimit të ndihmës financiare sipas VKM nr.254, datë 27.03.2020, dhe sigurojmë individët/subjektet se çdo ankesë/kërkesë do të trajtohet dhe shqyrtohet me korrektësine maksimale.”- thuhet në njoftimin e Drejtorisë së Tatimeve.
Të gjithë ata që nuk kanë përfituar nga Paketa e parë, do të njoftohen nëse do të përfitojnë nga Paketa e dytë ekonomike.
“Subjektet dhe individët të cilëve u është refuzuar e drejta për të përfituar ndihmën financiare sipas Paketës nr.1, do të njoftohen nëpërmjet një njoftimi në llogarinë e tyre në e-filing, nëse do të jenë përfitues të Paketës nr.2, pa qënë e nevojshme të ndjekin proçedurën e riaplikimit.”- sqarohet në njoftim.