Pas një muaji të izoluar, më në fund pensionistët kanë të drejtë sot të dalin për t’u ajrosur, e janë të lirë ta bëjnë këtë deri në orën 11:00 të paradites.
Lajmin e bëri të ditur mbrëmjen e kaluar kryeministri Edi Rama, ku tha se do të bënte disa lehtësime të masave të marra kundër përhapjes së koronavirusit.
Rama tha se pensionistët janë kategoria e vetme që përfitojnë, por duke respektuar rregullin e vetëdistancimit.
Policia e Shtetit ka publikuar një njoftim, ku sqaron se forca të shumta policore sot do të jenë në rrugë, për t’u siguruar që do të zbatohet distancimi social.
Në njoftimin shpërndarë për mediat, policia i bën thirrje të moshuarve që të mos ulen në grupe nëpër parqe apo lulishte, të mos jenë më shumë se dy persona bashkë dhe pas orës 11:00 të kthehen në banesa.
NJOFTIMI I POLICISË
Bazuar në urdhrin e fundit të Kryeministrit të vendit, për lejimin e pensionistëve për të dalë ditën e shtunë deri në orën 11:00, Policia e Shtetit do të mirëpresë e asistojë pensionistët, për të respektuar distancimin social.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e pensionistëve që të mos ulen në grupe nëpër parqe apo lulishte, të mos jenë më shumë se dy persona bashkë dhe pas orës 11:00, duhet të kthehen në banesë. Shërbimet e Policisë do të jenë pranë tyre për çdo rast nevoje që ata mund të kenë.
Ndërkohë, në të gjithë vendin do të vijojnë kontrollet e pandërprera kryesisht në qendrat urbane, për respektimin e karantinës. Do të lejohen të qarkullojnë me makinë, të pajisur me autorizim apo në këmbë, në itinerarin shtëpi – punë – shtëpi, pa asnjë ndalesë të gjithë personat që kanë autorizim për të punuar gjatë fundjavës.
Të gjithë të tjerët duhet të respektojnë masat kufizuese për të mos dalë nga banesa deri në orën 05:00 të ditës së hënë, duke përjashtuar lëvizjet për emergjencat mjekësore