Ka arritur në 51 numri i viktimave nga koronavirusi në Maqedonisë e Veriut. Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka njoftuar për dy viktima të reja, një në Shkup i moshës 66 vjeç dhe një tjetër i moshës 83 vjeç në qytetin e Prilepit.
Numri më madh i viktimave, gjithsej 13, është në qytetin e Kumanovës ndërsa më pas vjen Struga me 10 dhe Shkupi me 9 viktima.
Ministri i Shëndetësisë ka njoftuar edhe për 37 raste të reja ne koronavirus që shkakton sëmundjen COVID -19. Prej tyre, 9 të infektuar janë regjistruar në Kumanovë dhe 8 në Shkup ndërsa numër më i vogël në 5 qytete tjera. Numri i përgjithshëm i personave të infektuar ka arritur në 1,207. Të sëmurë aktiv janë 977 persona ndërsa 179 janë shëruar.
Drejtuesit e institucioneve ndërkohë kanë vazhduar me thirrjet drejtuar qytetarëve, në veçanti besimtarëve të krishterë që të mos dalin nga shtëpitë gjatë festës së pashkëve dhe të respektojnë masat e qeverisë për mbrojtje nga përhapja e koronavrusit.
Në gjithë vendin nga e premtja ka hyrë në fuqi ora policore, për kufizimin e plotë të lëvizjes deri në orën 05.00 të mëngjesit të ditës së martë.
Qeveria e Maqedonisë së Veriut të shtunën njoftoi se nga fillimi i muajit maj do të nisë me lehtësimin e masave shtrënguese kundër koronavirusit.
“Ne po bëjmë një plan serioz, që pas 1 majit, të nisim me lehtësimin e disa prej masave, të cilat do të jenë në funksion të kthimit të jetës në normalitet”, ka deklaruar kryeministri Oliver Spasovski.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe ka dhënë vlerësime pozitive për masat që janë ndërmarrë në luftën kundër koronavirusit, por ai ka thënë se edhe pas lehtësimit të masave do të kërkohet kujdes maksimal dhe përgjegjësi nga secili prej qytetarëve.