14 raste të reja janë konfirmuar me koronavirus në 24 orët e fundit, duke e çuar në 562 numrin total të të infektuarve në vend. Lajmi u konfirmua nga Ministria e Shëndetësisë, e cila tha se një nga të prekurit është personel shëndetësor.
Këto janë rezultatet e nxjerra nga 231 testime.
Edhe pse vihet re një ulje në numrin e rasteve të reja ditore në përgjithësi, sot ka 5 raste të reja më shumë se dje dhe rritja lidhet me bashkinë e Krujës, nga ku rastet e para lidheshin me punën në një fasoneri.
Siç vihet re edhe në hartën e ilustruar më poshtë, sot kemi 7 raste të reja në Krujë, 5 në Tiranë dhe 2 në Shkodër.
Kështu, nga 5 rastet e para të konfirmuara, sot në Krujë numri i të infektuarve ka shkuar në 18.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar sot listës së të shëruarve, duke e çuar numrin në total të tyre në 314. Kjo do të thotë se aktualisht në vendin tonë janë 222 persona të infektuar aktivë dhe, numri i të shëruarve është më i lartë se numri i të infektuarve.
TË DHËNAT E REJA:
Në vijim të komunikimit të përditshëm, Ju bëjmë me dije se vazhdon puna në terren për identifikimin e rasteve të reja dhe gjurmimin e kontakteve të rasteve, të konfirmuara pozitive.
Në 24 orët e fundit janë testuar 231 persona të dyshuar me COVID-19, prej të cilëve 35 janë personel shëndetësor.
Nga rezultatet e testimeve janë konfirmuar 14 raste pozitive me COVID19, prej të cilëve 1 është personel shëndetësor në Shkodër.
Nga rastet e reja 7 i përkasin Krujës, 5 raste në Tiranë, 2 raste në Shkodër.
Deri në këto momente janë testuar 5542 raste të dyshuara dhe prej tyre janë të konfirmuar pozitivë me COVID-19, 562 raste, pra rreth 10% e të gjithë të testuarve.
Kjo shifër tregon për një kontroll të mirë të epidemisë dhe për një numër krejtësisht të mjaftueshëm testimesh për të vlerësuar situatën.
Gjatë 24 orëve të fundit, 12 pacientë të tjerë i janë shtuar listës së të shëruarve, duke e çuar numrin e të shëruarve nga COVID-19 në 314.
Aktualisht në vendin tonë janë 222 persona të infektuar aktivë dhe siç shihet, numri i të shëruarve është më i lartë, dhe kjo tendencë tashmë vazhdon pa luhatje prej më shumë se një jave.
Deri sot, 26 qytetarë e kanë humbur betejën me këtë semundje megjithë përpjekjet e stafit mjekësor.
Ju informojmë se, në shërbimin infektiv aktualisht janë 34 të shtruar. 6 pacientë janë në terapi intensive.
Në spitalin COVID 2 “Shefqet Ndroqi”, janë 8 pacientë të shtruar. 4 pacientë janë në terapi intensive në gjendje të rënduar, ndërsa 4 prej tyre janë në pavion.
Në dy spitalet COVID aktualisht po marrin shërbim 42 pacientë.
Harta e të prekurve nga COVID-19 zgjerohet në Tiranë, Shkodër dhe Krujë.
Shpërndarja gjeografike e rasteve pozitive, është si vijon:
– Tiranë 251 raste
– Durrës 42 raste
– Lushnje 6 raste
– Elbasan 16 raste
– Fier 36 raste
– Kavajë 9 raste
– Rrogozhinë 4 raste
– Korçë 19 raste
– Vlorë 5 raste
– Shkodër 96 raste
– Lezhë 14 raste
– Berat 2 raste
– Has 13 raste
– Krujë 18 raste
-Tropojë 4 raste
– Pukë 5 raste
– Mirditë 3 raste
– Kukës 11 rast
-Mallakastër 1 raste
– Kurbin 7 raste
Pavarsisht luhatjesve në numrat ditorë të zbulimit të bartësve të virusit apo të sëmurëve prej tij, situata është njëlloj e kontrolluar.
Treguesi i vërtetë është numri i të shtruarve në spitale, që vazhdon të mbetet në shifra të qëndrueshme.
Në mënyrë që situata të vazhdojë të jetë e kontrolluar, është e rëndësishme që qytetarët të respektojnë masat e distancimit fizik, si e vetmja mënyrë e kufizimit të përhapjes së infeksionit.
Këto masa duhet të respektohen makimalisht edhe brenda rretheve familjare, duke shmangur vizitat tek të afërmit për çdo lloj arsye.
Nëse keni shenja të sëmundjes COVID19 telefononi numrin e urgjencës 127. Për çdo pyetje apo informacion rreth COVID19 telefononi në linjën e gjelbër 0800 40 40./Hashtag.al