Aktorja Itziar Ituño, e cila njihet për rolin e saj si ‘Lisbona’ e “La Casa de Papel” është shëruar plotësisht nga koronavirusi.
Muajin e kaluar ajo zbuloi për publikun se ishte infektuar me koronavirus dhe për këtë ishte izoluar në shtëpi, pasi nuk ishte aq rëndë sa të ishte e nevojshme të shtrohej në spital.
Të enjten aktorja është hapur në një intervistë për përjetimin e saj, ndërsa nuk është rezervuar në kritikat ndaj qeverisë spanjolle të drejtuar nga kryeministri Pedro Sanchez.
“Na gënjyen për gjendjen reale që njerëzit të mos i kapte paniku, por kjo do të thotë të trajtosh popullatën si të jenë fëmijë. Kjo është më e serioze dhe e rrezikshme se gripi. Gjithçka ishte vonë. Se ata thonin se nuk është e nevojshme të vishni një maskë sepse nuk ishte i rrezikshëm, por ja që është. Në fillim njerëzit e dinin se virusi prekte vetëm të moshuarit dhe rrinin të qetë, por nuk ishte kështu. Kjo është vetëm një nga shumë gjërat e mëdha që ata kanë fshehur. Ka shumë njerëz në moshën 40 dhe 50 –vjeçare në një spital me një respirator ”, tha aktorja.
Ituño tha se ajo e bëri publike çështjen e saj për të rritur ndërgjegjësimin.
“Këtu njerëzit ende ishin të detyruar të shkonin në punë kur në Itali kishte shumë vdekje. Nuk më duket e pranueshme që për të mbrojur ekonominë njerëzit të lidhen në gojën e luanit.
Ata e kuptuan vonë se duhej të ndaleshin plotësisht dhe deri atëherë kishte një numër shumë të lartë vdekjesh”– shpjegoi aktorja, citon Huffington Post.
Tashmë që gjithçka ka kaluar, aktorja tregon se simptomat e para i kishte pasur gjatë xhirimeve të serialit, ‘Alardea’ në Spanjë.
“Kam kaluar një periudhë të keqe dhe partneri im ka qëndruar 8 ditë në spital. Nuk është vetëm një grip i thjeshtë, ka simptoma të rralla, të bën të ndjesh gjëra të çuditshme. fillon me një kollë të thjeshtë dhe ditën tjetër ngrihesh me temperaturë. Më humbën ndjesitë e nuhatjes dhe shijes papritur, nuk ndieja erën dhe nuk shijoja asgjë.
Ky virus të detyron të ngadalësosh gjërat që bën, të dëgjosh më shumë trupin tënd dhe të kuptosh se çfarë duhet të hash. Gjatë kohës që isha sëmurë u përpoqa të ndryshoja veten. Në qytetin tim ka shumë të infektuar dhe shumë vdekjeje. Kam të afërm që kanë ndërruar jetë nga ky virus. Pra koronavirusi më ka prekur shumë nga afër.”– tregon Ituño.