Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi ka dhënë detaje lidhur me dy rastet e konfirmuara sot me koronavirus.
Sipas kryebashkiakes, bëhet fjalë për dy punonjës shtetërorë. Njëri është personel i Spitalit dhe tjetër personel i FNSH-së në Shkodër.
“Sot, fatkeqësisht, janë regjistruar dy raste të reja të personave të infektuar me COVID-19 në institucionet që Shkodër.
Është një personel i Reanimacionit në Spitalin e Shkodrës dhe një personel i FNSH-së Shkodër.”– shkruan Ademi.
Kryetarja e bashkisë, kërkon marrjen e masave shtesë nga qeveria për parandalimin e përhapjes së COVID-19.
“Përsëris edhe një herë apelin tim publik për marrjen e masave shtesë për shërbimin dhe parandalimin e përhapjes së COVID-19, kërkesë testim me URGJENCË të personave që janë në terren çdo ditë:
-Personelin shëndetësor në të gjitha institucionet e nivelet
-Policinë e Shkodrës
-Forcat e Ushtrisë
-Personat që punojnë e veprojnë në territor në asistencë e mbështetje të shtresave më në nevojë.
Është JETIKE që kjo të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur sepse COVID-19 po përhapet në institucione të rëndësishme si ato të shëndetit dhe ruajtjes së rendit.
Testimi është e vetmja rrugë për të frenuar përhapjen e COVID-19, bashkë me distancimin fixik e social.
#qendronineshtepi duhet të shoqërohet me testimin në shkallë të gjërë, por edhe me pajisjen me mjete mbrojtëse të personelit shendetësor, policisë, ushtrisë dhe personave që veprojnë në territorin e Shkodrës!”– shkruan kryebashkiakja.
Sot u konfirmuan 14 raste të reja me koronavirus, nga të cilat 7 ishin në Krujë, 5 në Tiranë dhe 2 në Shkodër. Kjo e ka çuar në total në 562, numrin e të infektuarve në vend.