Koncerti “Një Botë, bashkë në shtëpi” i Lady Gaga-s, mblodhi më shumë se 100 muzikantë të cilët performuan nga shtëpitë e tyre për të shprehur mbështetje për bluzat e bardha që ndodhen në frontin e parë të luftës me koronavirusin.
Më poshtë janë 9 prej gjërave që dalluam nga ky koncert.
1) Taylor Swift i bëri të gjithë të qajnë
Taylor Swift dikur tha që ajo kurrë nuk do ta këndonte live këngën “Soon you will get Better”, të cilën ia ka dedikuar nënës së saj të prekur nga kanceri. Sepse, kjo temë është shumë e vështirë për të.
Por ajo doli nga zona e komfortit dhe e bëri këtë, duke mbajtur sytë mbyllur pothuajse gjatë gjithë performancës.
2- The Rolling Stones kishin bateri – por asnjë pajisje për to
Asnjëherë në një milion vjet nuk do të thonim që The Rolling Stones po luante me play back… por nuk ka asnjë mundësi që ato tinguj të beterisë të vinin nga dhoma e Charlie Watts…. vetëm nëse ai kishte një karrige magjike.
3) Charlie Puth nuk e mori mundimin as të rregullojë shtratin e tij
Çfarë do të thotë nëna e tij kur ta shohë këtë? Pjesa më e madhe e yjeve të popit u përpoqën të pastrojnë, ose të paktën të fshihnin të gjitha pjatat e palara apo rrëmujat nëpër shtëpi.
Por jo Charlie Puth.
4) Stevie Wonder përkujton Bill Withers
“Gjatë vështirësive si kjo, ne duhet të mbështetemi te njëri-tjetri”– tha Stevie Wonder. “Miku im, i ndjeri Bill Withers, ka këngën e përsosur për këtë dhe unë dua që të gjithë ta kujtojmë sonte.”
Ai dha një performancë mahnitëse të “Love’s In Need Of Love Today” duke i shtuar disa elemente nga vetja.
5) Disa kishin mikrofona më të mirë se të tjerët
Videot nga shtëpitë ofruan një pasqyrë interesante të pajisjeve muzikore e të regjistrimit që këngëtarët kanë në shtëpitë e tyre.
Sheryl Crow fitoi me lehtësi në këtë pikë, duke performuar nga studioja profesionale që ajo kishte instaluar në hambarin e shtëpisë në Tenesi. Por jo të gjithë ishin kaq me fat. Artistë të tjerë u detyruan të vinin një CD dhe të këndonin në laptopin e tyre.
Problemet teknike ishin veçanërisht të dukshme gjatë para-shfaqjes, por edhe në pjesën e dytë Paul McCartney e regjistroi videon e tij në modalitetin e portretit në vend të peizazhit. Sidoqoftë, organizatorët e Global Citizen thanë që mungesa e shkëlqimit të koncertit ishte pjesërisht e qëllimshme.
“Ne nuk duam ta bëjmë atë më profesional”– tha Hugh Evans për Variety.
6) Jennifer Lopez solli shkëlqimin e nevojshëm
Çfarë, prisnit që J Lo të shfaqej me flokë të kapura dhe me tym e efekte të tjera speciale nga pas?! Kjo sigurisht nuk do të ndodhte kurrë në këtë situatë.
Lopez qëndroi e vërtetë në performim, duke sjellë gjithë shkëlqimin dhe magjepsjen që ne kemi humbur gjatë bllokimit.
7) Christine and The Queens ishte e shqetësuar për shëndetin tonë mendor
Nëse bllokimi ju ka bërë të ndiheni keq, nuk jeni të vetmit.
“Është me të vërtetë e çuditshme”, tha Christine. “Gjithçka është përmes ekranit tani dhe nuk ka kontakt njerëzor, dhe unë e di se kjo mund të prekë emocionalisht. Është java e katërt këtu në Francë dhe ka qenë mjaft intensive. Unë e di se është e vështirë por mos hezitoni t’i afroni njerëzit, nëse nuk ndiheni mirë emocionalisht”– tha ajo. Këngëtarja, emri i vërtetë i të cilës është Heloise Letissier, nisi të këndonte “People, I’ve Been Sad”.
8) Kufizimet teknike i detyruan disa të jenë krijues
Jo të gjithë ata që morën pjesë kishin një studio në shtëpi ose mundësi për të luajtur me bandën e tyre, por disa u treguan mjaft kreativë në videot e tyre.
Keith Urban, i cili është në izolim me gruan e tij Nicole Kidman, u bë vetë grupi i tij mbështetës. Në videon e tij ai ishte 3-fishuar, me kopjet e tij që luanin njëkohësisht instrumentet ndërsa këndonte “Higher Love” të Steve Winwood.
Po ashtu dhe John Legend mblodhi së bashku disa balerinë që bashkëvepronin me njëri-tjetrin, pavarësisht se ishin në izolim.
9) Transmetimi online ka ndryshuar natyrën e shfaqjeve bamirëse
“Përshëndetje djema, unë jam Ellie Goulding dhe do të luaj disa këngë për ju”– tha Ellie Goulding. Por ajo këndoi vetëm një këngë, pasi u ndërpre nga Christine And The Queens.
Doli se muzikantëve u ishte kërkuar të regjistrojnë një numër të vogël videosh, me regjistrimet e tyre të shpërndara gjatë gjithë shfaqjes tetë-orëshe. Goulding u kthye përsëri disa orë më vonë për të luajtur një version akustik të Burn.
Me sa duket organizatorët menduan se njerëzit nuk do të rrinë rrotull për 15-minuta të plota, duke dëgjuar vetëm një artist. Kjo mund të formësojë koncertet bamirëse për vitet e ardhshme.
Marrë nga BBC