Walt Disney do të ndalojë së paguari më shumë se 100,000 punonjës nga kjo javë, ndërsa po përballet me mbylljet për shkak të koronavirusit.
Grupi më i madh në botë i argëtimit operon përmes parqeve dhe hoteleve në SHBA, Europë dhe Azi. Sipas Financial Times, ndalimi i pagës për gati gjysmën e forcës së punës do t’i kursejë Disney-t deri në 500 milion dollarë në muaj.
Disney fitoi rreth 1.4 miliardë dollarë të ardhura operative nga parqet, përvojat dhe produktet e tij në tre muajt e fundit të vitit 2019.
Kompania tha se do të sigurohet që stafi i mbetur pushim, të marrë përfitime të kujdesit shëndetësor, dhe u bëri thirrje punonjësve të saj në SHBA të aplikojnë për të marrë përfitimet që parashikon qeveria përmes paketës së stimulit të koronavirusit prej 2 trilion dollarësh.
Numri i amerikanëve që kërkojnë përfitime për shkak të papunësisë së shkaktuar nga bllokimi kombëtar ka ardhur duke u rritur. Protestuesit kanë dalë në rrugë në SHBA, duke kërkuar rihapjen e ekonomive.
Sektorët e udhëtimit dhe argëtimit ishin të parët që u goditën financiarisht nga mbylljet e koronavirusit. Linjat ajrore kanë qenë në vështirësi për të mbijetuar duke kërkuar ndihmë financiare nga qeveritë.
Por të ardhurat që siguron Disney nga faqja e saj në internet me streaming Disney Plus janë shumë më të mira, me më shumë se 50 milion abonentë në vetëm pesë muajt e parë që pas lancimit.