Gjendja e emergjencës do zgjatet edhe pas 25 prillit. Kjo është njoftuar nga kryeministri Rama i cili tha se gjendja do zgjatej patjetër por pa specifikuar deri kur do vijonte kjo situatë.
Ai tha gjithashtu se hapja e bizneseve do ketë përgjegjësi të shtuar për ata që do nisin punën. Kreu i qeverisë theksoi se bizneset duhet të zbatojnë protokollet e sigurisë dhe të marrin masat e përcaktuara për të garantuar shëndetin e punonjësve.
Në bashkëbisedimin me qytetarët në Facebook ai shpjegoi edhe mënyrën e funksionimit të shërbimit Taxi në qytete.
Kreu i qeverisë tha se lëvizjet lejohen vetëm brenda qyteteve dhe jo mes tyre ndërsa qytetari duhet të justifikojë arsyen e lëvizjes me taksi, në të kundërt do penalizohet bashkë me shoferët.
Ai tha gjithashtu se lekët që u janë dhënë taksistëve nuk do u merren pavarësisht faktit se ata po kthehen në punë.