Sipas një studimi të kryer në SHBA, si rezultat i ndikimit në ekonomi nga masat kundër koronavirusit të ri (COVID-19) në këtë vend mbi 8 milionë punonjës të restoranteve janë pezulluar ose u është dhënë pushim me leje.
Studimi i Shoqatës Kombëtare të Restoranteve tregoi se që nga shpërthimi i koronavirusit në muajin mars 88 për qind e operatorëve të restoranteve në SHBA pakësuan numrin e të punësuarve.
Mesatarisht, operatorët ulën 83 për qind të stafit të përgjithshëm të restoranteve të tyre, ndërsa 41 për qind e operatorëve tërë stafin e tyre e pezulluan ose i dhanë pushim me leje.
Shifrat përfaqësojnë “më shumë se dy të tretat e 12 milionë punonjësve që ishin duke punuar në vendet e ngrënies dhe pirjes në muajin shkurt”.
Humbjet e vendeve të punës ishin më të dukshme në segmentin e shërbimit me tryeza, gjegjësisht 90 për qind, ndërsa më pak e zakonshme është në segmentin me shërbime të kufizuara.
Shoqata tha se studimi është kryer në mesin e pronarëve, operatorëve të sektorëve të ngrënies dhe pirjes, të cilët punësojnë 12 milionë nga totali prej 15.6 milionë i fuqisë punëtore të restoranteve dhe shërbimeve ushqimore.
Edhe pse shumë vende janë nën bllokim për të parandaluar përhapjen e koronavirusit, presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, kohëve të fundit po nxit vendin e tij të përgatisë plane për të rihapur ekonominë, duke deklaruar autoritetin e tij “të plotë” për këtë veprim.
Trump po ashtu tha se ai do të preferonte të punonte me shtetet për lehtësimin e kufizimeve dhe rihapjen e ekonomive.
SHBA është vendi më i prekur në botë nga koronavirusi, me rreth 760 mijë raste, 40.690 vdekje, si dhe mbi 71 mijë të shëruar.
Pasi për herë të parë u shfaq dhjetorin e kaluar në Wuhan të Kinës, koronavirusi është përhapur në mbarë botën, ndërsa Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) shpërthimin e ka shpallur një pandemi globale.
Sipas të dhënave nga Universiteti John Hopkins me bazë në SHBA, numri i të infektuarve nga koronavirusi ka tejkaluar shifrën 2.4 milionë, me rreth 166 mijë të vdekur dhe rreth 636 të shëruar.