Vendosni fjalën kyçe....

Nisen drejt Italisë 60 mjekë e infermierë nga Shqipëria


Shqipëria i vjen përsëri në ndihmë Italisë, ku pas dërgimit të 30 mjekëve muajin e kaluar, pritet të dërgohet një grup i dytë mjekësh.

Rreth 60 mjekë e infermierë do dërgohen pasditen e sotme drejt Italisë, për të dhënë kontributin e tyre në luftën kundër COVID-19.

Këta mjekë e infermierë do të paguhen nga buxheti i shtetit, ku përkatësisht mjekët do shpërblehen me 3 mijë euro në muaj, ndërsa infermierët me 2500 euro në muaj.

“Shpërblimi i mjekëve dhe infermierëve, që do të ofrojnë shërbim shëndetësor sipas pikës 1, të këtij vendimi, do të jetë në vlerën 3 000 (tre mijë) euro në muaj për mjekët dhe 2500 (dy mijë e pesëqind) euro në muaj për infermierët.

Fondi prej 11 000 000 (njëmbëdhjetë milionë)lekësh për shpërblimin e personelit shëndetësor, mjekë dhe infermierë, sipas pikës 2, të këtij vendimi, të përballohet nga fondi rezervë i buxhetit të shtetit, miratuar për vitin 2020.”- thuhet në vendimin e Këshillit të Ministrave.

Një nga infermieret, Manjola Rama, foli në një prononcim për Report TV lidhur me vendimin e saj për t’iu përgjigjur pozitivisht thirrjes së qeverisë.

“Ne sot jemi mbledhur për një ndihmë për shtetin italian. Jemi rreth 60 infermierë, jo të gjithë të punësuar. Unë kam qenë zëvendësuese në QSUT, deri sa të presim radhën vendosëm që të ndihmojmë Italinë. Na kanë njoftuar dy javë më parë. E dimë që do kemi viruse dhe ne do të japim maksimumin si staf që jemi, dhe besoj që do dalim faqebardhë. Unë jam nënë me tre fëmijë,  janë mërzitur. Nuk kemi bërë trajnim, por unë që kam punuar, e di si është puna, trajnimi, na kanë thënë që do trajnohemi atje dhe pastaj do fillojmë punë. Ne do të shkojmë në Romë, por spitalin e vendosin ato.  Mesazhi është për të gjithë që të mbajnë distancë, rregullat e higjienës dhe do të dalim faqebardhë”, tha infermierja. Siç shihet në foton e mësipërme, infermierja mban vetëm një maskë të thjesht ndryshe nga radhën e shkuar kur mjekët e infermierët që në Rinas u shfaqën me veshjet e posaçme që i duhen kur të jenë në spital duke trajtuar të sëmurët me COVID-19.

Vetëm pak javë më parë, Shqipëria dërgoi në Itali 30 mjekë dhe infermierë, të cilët aktualisht po shërbejnë në frontin e parë të luftës kundër koronavirusit në spitalet e Breshias. /Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *