Rothschild & Co do të jetë këshilltari i qeverisë për menaxhimin e borxhit shtetëror.
Ministria e Financave bëri me dije se tashmë ka përfunduar procedurën e çelur në fillim të marsit për shërbim këshillimor financiar në lidhje me menaxhimin e borxhit publik, në mënyrë që kjo ministri të sigurojë fondet e nevojshme të huamarrjes, vlerësimin e rrezikut dhe kostos së tij, afatmesëm dhe afatgjatë, si dhe zhvillimin e tregut të letrave me vlerë të qeverisë, duke rritur instrumentet e tij dhe zgjeruar bazën e investitorëve.
Rothschild është përzgjedhur si konsulent në një moment të rëndësishëm teksa Shqipëria bëhet gati për të kërkuar një Eurobond në tregjet e kapitalit, i katërti ky në historinë e vendit dhe për një shumë 650 milionë euro. Oferta fituese e kompanisë konsulente për shërbimin që do të japë është 81.5 milionë lekë.
Konsulenti do të jetë përgjegjës për të siguruar disa shërbime ku së pari financimin sovran përmes vlerësmit të historikut të kreditit dhe këshillimin për vlerësimin në kontekstin e emetimit të një Eurobondi.
Në këtë kontekst në dokumente specifikohet se bëhet vlerësimi i situatës së klasifikimit duke marrë në analizë perceptimin dhënë nga agjencitë e vlerësimit të riskut të kreditit si S&P apo Moody’s.
Së dyti do të ofrohet këshillim financimi ku në fokus janë menaxhimi i borxhit s ai takon strategjisë së financimit në afatshkurtë dhe afatgjatë, hartimi i opsioneve të emetimit, identifikimi i zgjedhjeve për të zbutur koston negative të mbajtjes të bashkangjitur në parapragim e nevojave të financimit të Shqipërisë në vitin 2020.
Sa i takon transaksionit të Eurobondit konsulenti ndihmon Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë gjatë fazës përgatitore dhe këshillon për strukturimin e instrumenteve(termat dhe kushtet e negociatave me book-runners) dhe gjatë ekzekutimit të transaksioneve.
Po kështu konsulenti këshillon mbi marrvëshjet e mundshme të shkëmbimit për të minimizuar riskun e monedhës dhe kredisë për të përmirësuar hyrjet e Shqipërisë në tregjet ndërkombëtare të kapitalit dhe për të optimizuar profilin e borxhit të Shqipërisë.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Monitor