Austria do të lejojë hapjen e bareve, restoranteve dhe kishave më 15 maj, nëse numri i të infektuarve me koronavirus nuk rritet sërish, ka thënë kancelari austriak, Sebastian Kurz të martën. Ky shtet ka mbyllur restorantet, teatrot dhe dyqanet jo të domosdoshme më shumë se një muaj më parë.
Autoritetet kanë udhëzuar njerëzit që të qëndrojnë në shtëpi sa më shumë që të jetë e mundur. Mirëpo ky shtet ka qenë ndër të parët që ka lehtësuar masat e izolimit për qendrat e kopshtit dhe dyqanet më pak se 400 metra katrorë, raporton Rel.
Qendrat tregtare, floktaritë dhe dyqanet tjera të mëdha do të hapen më 1 maj. “Numri i të infektuarve të ri është duke u zhvilluar mirë, numrat kanë rënë, ne jemi një nga shtetet që qëndrojmë më së miri ndërkombëtarisht dhe jemi në rrugën e duhur” ka thënë Kurz në një konferencë për media.
Austria ka raportuar 491 vdekje deri më tani nga sëmundja Covid-19 që shkakton koronavirusi, apo shumë më pak sesa shifrat me të cilat janë përballur disa shtete në baza ditore. Autoritetet austriake kanë konfirmuar se shkalla e infektimit është më e vogël se 2 për qind në baza ditore.