Kreu i grupit parlamentar socialist, Taulant Balla ka publikuar disa dokumente, që sipas tij janë të një kontrate të re lobingu të Patisë Demokratike në SHBA.
Sipas dokumenteve, bëhet fjalë për një kontratë me vlerë 60 mijë dollarë të nënshkruar më 20 mars. Balla akuzon kreun e PD-së, Lulzim Basha, se po paguan shuma kaq të mëdha për ta nxirë imazhin e Shqipërisë në median amerikane në një kohë kur po përballet me një virus vdekjeprurës, ndërkohë që mund të kishte ndihmuar qindra shqiptarë me ato para.
Balla thotë se kompania me të cilën Basha ka lidhur kontratë, ka si klientë edhe zyrtarë të lartë të regjimit të Maduros në Venezuelë.
“Shqipëria në luftë me Covid-19, Lulzim Basha harxhon 60 mijë dollarë për lobing
Departamenti Amerikan i Drejtësisë, përmes Aktit të Rregjistrimit të Agjentëve të Huaj ka rregjistruar më 20 Mars 2020, një kontratë të re lobingu në SHBA të Partisë Demokratike me një kompani që ndër klientët e vet rregjistron edhe zyrtarë të lartë të regjimit të Maduros në Venezuelë.
O zot, si ka mundësi, kur të gjithë shqiptarët janë bërë bashkë në këtë Luftë me Covid-19, ku nevoja për solidaritet social e mbështetje për njerëzit në nevojë është aq e domosdoshme nga të gjithë, ky që merr guximin të japë edhe mend e plane, paguan shuma kaq të mëdha parash për të nxirë Shqipërinë në media amerikane, apo në zyrat e Kongresit amerikan.
Po si mund të dalësh për ditë në TV, e të drejtosh gishtin se nuk po ndihmohen familjet në nevojë, se nuk po financohen spitalet, nuk po paguhen infermiret, punonjësit e policisë, nuk po i jepet ndihmë financiare biznesit, kur vetë bën rrush e kumbulla paratë që partia jote merr nga buxheti i shtetit.
Do të ishte shumë me vlerë të ndihmoje disa qindra familje shqiptare me ndihma ushqimore me këto para, Lulzim.
Mos prisni as sqarim, e as ndjesë publike nga ky e nga këta.”– shkruan Balla.