Vendosni fjalën kyçe....

Donald Trump: Do ndërpres përkohësisht emigracionin në SHBA


Presidenti amerikan Donald Trump ka thënë se ai do të nënshkruajë një urdhër për të pezulluar përkohësisht të gjithë emigracionin në SHBA, për shkak të koronavirusit.

Në Twitter, ai përmend “sulmin nga armiku i padukshëm”, duke iu referuar koronavirusit, por nuk dha më shumë detaje.

“Në dritën e sulmit nga armiku i padukshëm, si dhe nga nevoja për të mbrojtur punët e qytetarëve tanë amerikanë, unë do të nënshkruaj një Urdhër Ekzekutiv për të pezulluar përkohësisht imigracionin në Shtetet e Bashkuara!”– shkruan Trump.

Nuk është e qartë se cilat programe mund të preken dhe nëse Presidenti do të jetë në gjendje të zbatojë urdhrin. Kritikët e Trump thonë se qeveria po e përdor pandeminë për të goditur emigracionin, shkruan BBC.

Njoftimi i presidentit vjen në orët e vona të së hënës, pasi Shtëpia e Bardhë argumentoi se më e keqja e pandemisë ka mbaruar dhe vendi mund të fillojë rihapjen.

Kufizimet në lëvizjen e njerëzve, të zbatuara nga shumë shtete për të frenuar përhapjen e virusit, kanë paralizuar pjesë të ekonomisë. Gjatë katër javëve të fundit, më shumë se 20 milion amerikanë kanë bërë kërkesa të papunësisë.

SHBA-ja ka mbi 787,000 raste të konfirmuara të Covid-19 dhe më shumë se 42,000 vdekje.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *