Raportet që udhëheqësi i Koresë së Veriut, Kim Jong-un është i sëmurë rëndë pasi një operacioni në zemër janë mohuar nga zyrtarët në Korenë e Jugut.
Titujt që Kim Jong-un është “i sëmurë rëndë”, “i vdekur nga truri” ose “po shërohet nga një operacion” janë të pamundura të verifikohen.
BBC shkruan se zyra presidenciale në Seul thotë se nuk ka pasur shenja të veçanta nga Veriu që të tregojnë se lideri i cili besohet se është 36-vjeç, të jetë “i sëmurë rëndë”.
E kjo nuk do ishte hera e parë që qarkullojnë thashetheme për shëndetin e tij, të cilat më pas hidhen poshtë.
Kur filluan spekulimet?
Kim Jong-un kohët e fundit humbi ceremoninë e ditëlindjes së gjyshit të tij më 15 prill. Kjo është një nga ngjarjet më të mëdha të vitit, pasi shënon lindjen e themeluesit të kombit.
Kim Jong-un nuk e ka humbur kurrë atë, dhe duket e pabesueshme që ai thjesht kishte zgjedhur të mos merrte pjesë.
Kështu, mungesa e tij nxiti spekulime dhe thashetheme, të cilat nuk janë të lehta për t’u vërtetuar.
Mediat shtetërore gjithashtu nuk e përmendën praninë e tij në një test rakete të raportuar javën e kaluar. E zakonisht ai është fotografuar zakonisht në këto nisje.
Raportimi për Korenë e Veriut është tepër i vështirë edhe në kohën më të mirë, dhe tanimë shteti është akoma më i fshehtë, pasi mbylli kufijtë në fund të janarit për shkak të pandemisë Covid-19.
Raportimet për sëmundjen
Pretendimet për gjendjen jo të mirë shëndetësore të Kim Jong-un u shfaqën në një raport të një faqeje interneti të drejtuar nga dezertorët e Koresë së Veriut të martën.
Një burim anonim i tha Daily NK se Kim kishte probleme kardiovaskulare që nga gushti i kaluar, por gjendja e tij u përkeqësua pas vizitave të përsëritura në malin Paektu.
Kjo çoi në një zinxhir raportimesh nga media ndërkombëtare për një histori të vetme. Më pas dolën raporte që agjensitë e inteligjencës në Korenë e Jugut dhe SHBA po monitoronin këto spekulime.
Por më pas erdhi një titull më i bujshëm në mediat amerikane se udhëheqësi i Koresë së Veriut ishte në një gjendje kritike pas operacionit në zemër. Më specifikisht nga CNN.
Por, një deklaratë e qeverisë së Koresë së Jugut dhe burime të inteligjencës kineze që folën për Reuters, thanë se kjo nuk ishte e vërtetë.
Vlen të përmendet se në asnjë moment askush nuk e ka mohuar që Kim Jong-un ka pasur një operacion në zemër. Deklaratat nga Koreja e Jugut dhe Kina thjesht mohojnë se lideri i Koresë së Veriut të jetë në gjendje të rëndë.
Popullsia e Koresë së Veriut zakonisht nuk mbahet e informuar për gjendjen shëndetësore të udhëheqësit të tyre.