Vendosni fjalën kyçe....

Meta: Cënimi e përkeqësimi i lirisë së medias i papranueshëm, qeveria të tërhiqet


Presidenti Meta i ka bërë thirrje qeverisë që të tërhiqet lidhur me paketën anti-shpifje.

Kreu i shtetit reagoi pas raportit të fundit të Reporterëve pa Kufij duke thënë se përkeqësimi i lirisë së medias është i papranueshëm dhe kërkon reagim nga të gjithë.

“Përkeqësimi në Indeksin Botëror të Lirisë së Medias, sipas konkluzioneve vjetore të organizatës botërore të gazetarëve “Reporterët pa Kufij”, është i papranueshëm dhe kërkon një përgjigje dhe reagim të menjëhershëm nga të gjithë.

Mbështes plotësisht paralajmërimin e “Reporterëve pa kufij” se e ashtuquajtura paketë “anti-shpifje” do ta përkeqësojë më keq situatën në të cilën ndodhet sot media dhe gazetarët në Shqipëri.

I bëj edhe njëherë thirrje qeverisë të tërhiqet dhe të rishikojë paketën e ligjeve të miratuara, që siç tërheq vëmendjen organizata botërore e gazetarëve, dhe ashtu siç kam paralajmëruar:

– Shkel parimet themelore kushtetuese të një shteti demokratik;

– Shkel të drejtën e lirisë së shprehjes, së shtypit dhe të drejtës së informimit;

– Është në kundërshtim me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese;

– Shkel standartet e Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.

Liria e të shprehurit është e drejtë themelore e njeriut, shtyllë e pazëvendësueshme për një shoqëri moderne demokratike, dhe tepër jetike për garantimin e llogaridhënies nga të gjitha institucionet publike.” – tha Meta.

Më tej presidenti theksoi se përdorimi i fatkeqësisë së tërmetit dhe të pasojave të rënda që ka sjellë pandemia COVID-19 nuk mund të justifikojnë cënimin e lirisë së medias.

Meta tha në fund të reagimi se shpreh mirënjohjen e solidaritetin me mediat, gazetarët e stafet e tyre duke shtuar se regresi i lirisë së medias është i papranueshëm dhe tejet i dëmshëm.

“Shqetësimi i “Reporterëve pa kufij” se përdorimi i fatkeqësisë së tërmetit, dhe të pasojave të rënda që ka sjellë pandemia COVID-19 nuk mund të justifikojnë cenimin e lirisë së medias, kërkon reflektim serioz dhe të përgjegjshëm. Me ketë rast, shpreh mirënjohjen e thellë dhe solidaritetin e plotë për punën e shkëlqyer heroike të mediave, gazetarëve dhe stafeve të tyre mbështetëse nga vija e parë e raportimit, në shërbim të informimit publik, transparencës dhe mbrojtjes së shëndetit të çdo qytetari, si dhe përsëris thirrjen për të mos i braktisur në këto momente tepër të vështira! Duke shprehur solidaritetin e plotë me të gjithë gazetarët, veçanërisht ata të cënuar në misionin e tyre në shërbim të lirisë, të qytetarëve dhe në interes të konsolidimit të të gjithë sistemit tonë demokratik, theksoj se regresi në drejtim të lirisë dhe pavarësisë së medias është i papranueshëm dhe tepër i dëmshëm për vendin tonë, aspirant për anëtar të Bashkimit Europian.” – mbylli Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *