Mjeku epidemiolog pranë ISHP-së, Dritan Ulqinaku, ka folur në “Ilva Now” në Euro News Albania për situatën e pandemisë globale të COVID-19 në Shqipëri. Duke komentuar faktin që sot në Tiranë nuk u regjistrua asnjë rast pozitiv me coronavirus, doktori theksoi se ky është një lajm i mirë dhe jep shpresë për vijimësinë.
“Është një lajm shumë i mirë, nuk mund të themi se e kemi kaluar, nuk mund të themi se jemi 100% të optimistë, por që realisht është një lajm shumë i mirë. Realisht ky virus është virus urban, Tirana është beteja më e vështirë që ka Shqipëria, sepse popullata është më e dendura dhe mikse. Tirana është sfida e vërtetë e jona. Nëse ne do të fitojmë në Tiranë, vatrat të tjera janë të menaxhueshme”- tha ai.
Ai theksoi se vatrat e infeksionit janë izoluar, ndërkohë apeloi përkujdes tek qytetarët duke u shprehur se masat e distancimit social do t’i japin një frenim përhapjes së COVID-19.
“Masat e distancimit social e mbajnë të pa prekur këtë popullatë, por në momentin kur ka çrregullim, patjetër që numri përhapet menjëherë. Ne nuk presim kudo, nga veriu në jug, por janë këto vatra, që deri sot i kemi vënë nën kontroll. Kemi ditë që nuk dëgjojmë raste të reja, që tashmë e kanë kaluar këtë virus. Kanë funksionuar masat dhe janë këto masa që mund të shpresojmë, sepse qëllimi ynë nuk është zhdukja se është pamundur, por e vetmja mundësi e jona është menaxhimi dhe mbajtja e situatës nën kontroll. Numri ka ardhur dita ditës duke u ulur dhe kjo është situatë e menaxhueshme. Kjo është një luftë e gjatë dhe në pritshmëritë e mia që shifrat nga 0-20 do të jetë e pritshme. Nëse jemi të kujdesshëm dhe vigjilentë, ne themi se kjo situatë do të jetë e menaxhueshme dhe masat tjetra do të vijnë duke u lehtësuar”- theksoi ai.