Italia do të njoftojë në fund të kësaj jave planet për rihapjen graduale që sipas kryeministrit Giuseppe Conte, do të nisë që nga 4 maji.
Bllokimi, mbyllja e shumicës së bizneseve italiane dhe ndalimi i njerëzve të dalin nga banesat përveçse për nevoja bazë, ka nisur në Itali që më 9 mars, gjë që ka dëmtuar ekonominë e tretë më të madhe të zonës së euros.
“Unë dëshiroj të them: le të rihapim gjithçka. Menjëherë. Të fillojmë nesër në mëngjes … Por një vendim i tillë do të ishte i papërgjegjshëm. Do të bënte që kurba të rritet në një mënyrë të pakontrolluar dhe të anulonte të gjitha përpjekjet që kemi bërë deri më tani”– shkruajti Conte në një postim në Facebook.
Conte tha se duhet vepruar në bazë të një plani kombëtar, i cili merr parasysh dhe veçoritë territoriale, shkruan Reuters.
Conte tha se lehtësimi i kufizimeve do të ndodhte në bazë të një studimi të plotë dhe të dhënave shkencore dhe jo “të kënaqjes së një pjese të opinionit publik ose të plotësimit të kërkesave të disa kategorive të prodhimit, ndërmarrjeve individuale ose rajoneve specifike”.