Vendosni fjalën kyçe....

Raporti i RSF-së: Përkeqësohet liria e medias në Shqipëri, edhe Kirgistani më mirë


Reporterët Pa Kufij ka publikuar raportin e vitit 2020 për lirinë e shtypit në botë dhe në krahasim me vitin e kaluar, Shqipëria ka rënë dy vende më poshtë.

Në vitin 2019, Shqipëria renditej në vend të 82-të, por për një vit ka rënë me dy vende duke u renditur në vendin e 84, madje poshtë vendeve si Kirgistani, Malta apo Hong-Kongu.

Në fakt, Shqipëria po shënon rënie që prej vitit 2018, duke humbur 7 vende dhe shfaqur qartë një përkeqësim serioz në lirinë e shtypit dhe të drejtave të gazetarëve.

Reporterët pa Kufij e shpjegojnë rënien e lirisë së mediave, me miratimin e Paketës Antishpifje nga qeveria.

 “Në vitin 2019, qeveria rriti përpjekjet për të marrë kontrollin mbi median me arsyetimin e luftimit të lajmeve të rreme. Në dhjetor, shumica qeverisëse votoi në Parlament një paketë ‘anti-shpifëse’ që forcon rregullimin e mediave në internet. Kufizimi i lirive të shprehjes, informacionit dhe shtypit dhe kundërshtimi i praktikës më të mirë ndërkombëtare, të dy ligjet rrezikojnë të rritin censurimin dhe i bëjnë gazetarët më të prekshëm përballë presioneve të qeverisë. Të vetonuar nga presidenti shqiptar, ligjet janë përsëri në Parlament e mund të mposhtin refuzimin e Shefit të Shtetit.”- thotë RSF.

Po ashtu përmendet arrestimi i dy gazetarëve dhe një aktivisteje për përhapjen e “lajmeve të rreme” dhe “panikut” në kontekstin e tërmetit.

Ndërkohë Kosova, është renditur në vendin e 70 këtë vit, duke shënuar një rritje prej pesë vendesh.

Ndër vendet e rajonit, Bosnja dhe Hercegovina gjithashtu ka një vlerësim shumë më të lartë duke u renditur në vendin e 58-të. Megjithatë Shqipëria lë pas Maqedoninë e Veriut (92), Serbinë (93) dhe Malin e Zi (105)./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *