Shefi i selisë blu, Lulzim Basha, ka reaguar pas publikimit të indeksit për lirinë e medias ku Shqipëria shënoi rënie.
Basha bëri përgjegjëse për këtë rënie qeverinë dhe kjo erdhi si pasojë e nismave të ndërmarra me paketën e ashtëquajtur “anti-shpifje”.
“Shqipëria është përkeqësuar dhe ka rënë më poshtë në indeksin e lirisë së medias! Kjo ka ardhur si pasojë e nismave të qeverisë për të censuruar fjalën e lirë e ushtruar presion ndaj atyre që denoncojnë korrupsionin, lidhjet e politikës me krimin dhe abuzimet me fondet publike.
Ai që ka frikë nga fjala e lirë është armik i demokracisë. Ai që përditë nëpërkëmb dhe ofendon gazetarët, duke kërcënuar ata që mendojnë ndryshe e denoncojnë aferat korruptive, ai përditë largon gjithnjë dhe më shumë vendin dhe shqiptarët nga standardet europiane.
Censura, dhuna dhe autocensura në një vend që pret për anëtarësim në Bashkimin Europian, i shtohen panoramës së hidhur të krimit dhe korrupsionit që kjo qeveri servir në tryezën e ligjvënësve europianë”-shkruan Basha.