Turizmi padyshim ka pësuar goditjen më të rëndë për shkak të pandemisë së koronavirut. I ftuar në emisionin “Opinion”, ministri i Turzimit Blendi Klosi tha se kjo krizë do na kthejë 5 – 7 vite pas në fushën e turizmit.
“Ajo që parashikohet nga studimi global është që do të kthemi pas 5 deri në 7 vjet. Përfitimi që ne kemi janë çmimet, strukturat e zhdërvjellta dhe pozicioni në rajon”, u shpreh Klosi.
Mes të tjerash ministri tha se shteti shqiptar shpreson që në muajin Maj të nisin fluturime charter për turistë të huaj që mund të vijnë në Shqipëri, edhe pse gjendja emergjente me shumë gjasa, do të vazhdojë deri më 23 qershor.
“Ne shpresojmë që në muajin maj turistët të fillojnë fluturimet charter në Shqipëri dhe do të jemi përpara vendeve të rajonit”, tha Klosi.
Por ai shtoi se kjo mund të bëhet vetëm në varësi se si do të vijojë situata dhe duke ndjekur një portokoll rregullash dhe kujdesi.
Ai përmendi dhe disa pasaporta shëndetësore të turistëve, që sipas tij po i diskuton Organizata Botërore e Turizmit.
“Në diskutimet që ne bëjmë me Organizatën Botërore të Turizmit po bëhet gjithmonë e më e rëndësishme pasaporta për mjekimin, çfarë analizash ka bërë dhe nga vjen.
Në një nga debatet Ministri Italian i Turizmit tha: Pse habiteni, sepse kushdo që vjen në Europë duhet të tregojë çfarë vaksinash ka kryer”, u shpreh ministri.