Vendosni fjalën kyçe....

Meta “dekreton” paqen me Ramën


Presidenti Meta ka dekretuar sot ndryshimet në Kodin Penal që u miratuan në seancën e fundit në Kuvend.

Prej shumë muajsh, kryeministri Rama e presidenti kanë pasur përplasje të shumta e këto kanë kulmuar me tubimin e thirrur nga kreu i shtetit në datën 2 mars në Bulevardin Dëshmorët e Kombit.

Presideti Meta i ka kthyer Ramës e shumicës qeverisëse me dhjetëra dekrete ndërsa përpasja më e ashpër ka qenë për Gjykatën Kushtetuese.

Meta e ka akuzuar kryeministrin për kapjen e sistemit në drejtësi duke përdorur kreun e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani, ndaj të cilit ka bërë edhe kallëzim penal.

Në disa dalje të njëpasnjëshme në selinë e tij në Presidencë, Meta, ka argumentuar atë që e ka cilësuar kapje të sistemit të drejtësië nga ana e kryeministrit Rama duke dhënë argumentet e tij lidhur me këtë çështje.

Dy ligjet e fundit të kthyera prej Metës ishin ai i pronave dhe ai anti-KÇK, ndërsa sot kreu i shtetit ka vendosur të dekretojë ndryshimet në Kodin Penal lidhur me ndëshkimin e personave që përhapin infeksione të ndryshme, një propozim i bërë nga deputetët e shumicës.

Në një bashkëbisedim sot, me gazetarët nga presidenca, kreu i shtetit theksoi se ndryshimet u konsideruan të nevojshme për shkak të pandemisë dhe bëhej fjalë për një kërkesë kushtetuese dhe për këtë arsye institucioni i Presidencës i është përgjigjur detyrimit.

Në fjalën e tij para gazetarëve, Meta tha se Kodi Penal ka pasur një boshllëk lidhur me situatat pandemike dhe ndëshkimin penal të përsonave që përhapin me dashje sëmundje infektive.

“Si President i Republikës në mbështetje të nenit 84 dhe 93 të Kushtetutës, kam dekretuar sot shpalljen e ligjit numër 35/2020 për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin 78/95 për Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë të ndryshuar, të miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë. Shpallja e ligjit u vlerësua e nevojshme në situatën pandemike që po kalon vendi ynë për arsye se kohëzgjatja, pasojat apo mundësia e ripërsëritjes së një situate të tillë mbeten ende të paparashikueshme për vendin tonë, por edhe për mbarë botën. Kam ndjekur me vëmendje maksimale shqetësimet e bëra publike nga aktorë të ndryshëm mbi propozimin dhe miratimin e ndryshimeve në Kodin Penal. Shmangia e procedurave të përshpejtuara në miratimin e ligjeve që kërkojnë shumicë të cilësuar nuk është vetëm një kërkesë formale kushtetuese që duhet të respektohet nga komisionet e përhershme parlamentare dhe vetë Kuvendi. Përkundrazi është një kërkesë kushtetuese që në thelb kërkon kryerjen e ndryshimeve në ligjet e rëndësishme me një konsultim dhe konsensus të gjerë dhe shterues. Ndaj edhe Institucioni i Presidentit të Republikës ju përgjigj kërkesës për bashkëpunim dhe konsensus nga ana e Kuvendit dhe qeverisë për ndryshimet në Kodin Penal.” – tha Meta.

Më tej presidenti tha se ligji i miratuar në Kuvend kishte ndryshime thelbësore me draftin e propozuar nga shumica dhe pasqyronte përmirësimet tekniko-juridike të Avokatit të Popullit, shoqëricë civile, ekspertëve të së drejtës dhe presidentit. Ndërsa sqaroi edhe përmirësimet e bëra në ligjin e miratuar.

“Diskutimi i gjerë tekniko-juridik ka çuar në përmirësime thelbësore të produktit final të votuar nga Kuvendi. Nisur nga këto zhvillime, nga kjo gjendje e fatkeqësisë natyrore në të cilën ndodhemi por mbi të gjitha për shkak të boshllëkut ligjor që ka Kodi Penal për sa i takon trajtimit të veprimeve që kryhen me dashje dhe qëllimin kriminal për përhapjen e sëmundjeve infektive presidenti vlerëson se iniciativa e Kuvendit dhe qeverisë që mbrojtja e shëndetit publik të garantohet edhe nga normat penale përpos atyre administrative duhet mbështetur. Presidenti i republikës konstaton se mes draftit të propozuar fillimisht nga deputetët, atij të miratuar në komisionin përgjegjës dhe përmbajtjes finale të ligjit të miratuar në seancën plenare ka shumë ndryshime thelbësore pozitive të cilat kanë reflektuar një pjesë të sugjerimeve të Avokatit të Popullit, të shoqërisë civile, të ekspertëve të së drejtës dhe të institucionit të presidentit që lidheshin veçanërisht me:

  • Llojin dhe masën e dënimit penal në përputhje me parimin e ligjshmërisë dhe sigurisë juridike
  • Qartësimin e veprimeve apo mosveprimeve që ngarkojnë me përgjegjësi penale aplikimi e sanksionit penal në mënyrë të përshkallëzuar vetëm pasi të jetë aplikuar më parë sanksioni administrativ
  • Përcaktimin në mënyrë të qartë të përgjegjësisë penale në rastin e përhapjes së sëmundjes infektive të përfshirë në listën e sëmundjeve infektive me rrezikshmëri të lartë për shëndetin sipas ligjit të posaçëm vetëm për veprime të kryera me dashje dhe nga personat e diagnostifikuar si mbartës të saj.
  • Saktësimin e rrethit të subjekteve duke bërë që norma penale të bëhet vetëm mbi personat që janë paralajmëruar më parë me një masë administrative për respektimin e masave. Personat e diagnostifikuar si mbartës apo për personat të cilëve u është njoftuar detyrimi i zbatimit të urdhërimeve nga organet kompetente.” – shtoi kreu i shtetit.

Më tej, presidenti bëri thirrje që para hyrjes në fuqi të ndryshimeve në Kodin Penal, të ketë një fushatë të gjerë informimi. Ai tha se personat e diagnostifikuar, karantinuar e izoluar duhet të nojftohen menjëherë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe i gjithë procesi duhet të jetë i dokumentuar.

“Këto përmirësime thelbësore të dispozitave që kanë ulur dukshëm masat e dënimit si dhe evidentuar më qartë elementët dhe format e konsumimit të këtyre dy figurave të veprave penale respektojnë më shumë parimin e sigurisë juridike dhe proporcionalitetin. Presidenti i Republikës vlerëson se është e domosdoshme që përpara hyrjes në fuqi të këtyre dispozitave të reja në Kodin Penal, Ministria e Shëndetësisë, Komiteti i Ekspertëve dhe Komiteti Ndërministror i Emergjencave Civile duhet të vlerësojnë plotësimin e Kuadrit Ligjor që lidhet drejpërdrejt me aplikimin e legjislacionit pena si dhe përcaktimin e qartë dhe shterues sipas ligjit 15/2016 të listës së sëmundjeve infektive të rrezikshme që lidhen me zbatimin e masave të jashtëzakonshme, procesimin administrativ apo penal. Të gjitha kufizimet, masat e veçanta apo rregullat, shkelja e të cilave sjell sanksione administrative e më pas penale të nxjerra nga Ministri i Shëndetësisë, Këshilli i Ministrave apo çdo organ tjetër i ngarkuar nga ligji duhet t’i nënshtrohet një fushate të gjerë e ta vazhdueshme informimi publik përpos botimit të detyrueshëm dhe brenda afatit në Fletoren Zyrtare. Fushata e informimit duhet të përfshijë edhe normat e reja penale. Pushteti vendor e qeveria duhet të rrisin kapacitetet e tyre për t’iu përgjigjur në kohë kërkesave dhe nevojave më jetësore të shtresave në nevojë e sidomos pensionistëve, të cilëve u është kufizuar totalisht liria e qarkullimit. Njoftimi i menjëhershëm dhe i drejtpërdrejtë i personave të diagnostifikuar, karantinuar apo izoluar dhe i të afërmve të tyre dhe personave të tyre të të kontaktit duhet të jetë i dokumentuar. Rritja e numrit të testimeve duhet të jetë qëllim i vazhduar i qeverisë.” – shtoi Meta.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *