Presidenti i vendit Ilir Meta ka komentuar problemin me fasoneritë ku janë në Krujë e në Kurbin është përhapur në masë koronavirusi.
Meta theksoi se është me rëndësi të respektohen distancat sociale dhe standardet e caktuara. Në të kundërt sipas tij fasoneritë duhet të mbyllen.
“Sa i takon lajmeve shqetësuese që kanë ardhur kryesisht nga Kruja apo Kurbini është me mjaft rëndësi që të respektohen kudo distancat sociale dhe të ketë kudo standarde të detyrueshme nga institucionet e shëndetit publik për çdo lloj aktiviteti. Çdo lloj nënvlerësimi do të ishte me kosto të jashtëzakonshme, pasi këto sakrifica që janë bërë për javë të tëra do shkojnë dëm dhe kjo do të ishte kosto e shtuar financiare, ekonomike dhe psikologjike për të gjithë qytetarët. Kështu që duhet përqendrim më i madh në këtë drejtim për të parandaluar krijimin apo shpërthimin e vatrave të reja në mënyrë të paparashikuar.” – tha Meta.
Më tej ai shtoi: “Nëse nuk garantohen standardet e domosdoshme të mbrojtjes së shëndetit në kushtet aktuale të cilat duhet të verifikohen nga ekspertët konkretë, aktivitete të tilla nuk duhet të lejohen dhe punonjësit duhet të mbështeten nga ana e qeverisë”.
Kujtojmë se në Krujë sot numri i personave të infektuar ka shkuar në 58 e në Kurbin në 28. Të gjitha këto raste të lidhura me punonjës në fasoneritë në zonën e Krujës dhe të afërm të tyre.