Njerëzit në SHBA kanë vdekur lidhur me Covid-19 disa javë përpara se autoritetet të raportonin zyrtarisht vdekjet e para lidhur me sëmundjen.
Sipas autopsive të kryera ndaj dy personave që humbën jetën në banesat e tyre me 6 shkurt e 17 shkurt, ata rezultuan se ishin të prekur nga Covid-19, thanë autoritetet shëndetësore të Santa Klaras në Kaliforni, SHBA. Ata shtuan se një tjetër vdekje lidhur me Covid-19 ishte shënuar në datën 6 mars.
Vdekja e parë e lidhur me koronavirusin në SHBA fillimisht besohej se kishte ndodhur më 29 shkurt. Në atë kohë, Qendrat për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) konfirmuan që një burrë rreth 50-vjeç kishte vdekur në shtetin Uashington.
Rastet në Kaliforni nuk lidheshin me epideminë pasi këta viktima vdiqën në një kohë kur “vetëm individët me një histori të njohur udhëtimi dhe që kërkuan kujdes mjekësor për simptoma specifike” po testoheshin, thuhet në deklaratë.
Lajmet sugjerojnë që virusi mund të ketë qarkulluar në SHBA shumë më herët sesa mendohej më parë. Sipas Mercury News, të dy rastet fatale që ndodhën në fillim të shkurtit besohet se kanë origjinën në komunitet dhe nuk kishin lidhje me udhëtimet jashtë vendit.