Kreu i PD-së, Basha, theksoi sot se mbështet protestat e qytetarëve në mbarë vendin në një kohë kur qeveria nuk i përmbush detyrimet e saj kushtetuese ndaj tyre.
Megjithatë ai shtoi se opozita nuk do e shfrytëzojë për pushtet zemërimin e drejtë të qytetarëve.
Në një lidhje të drejtpërdrejtë me News24, Basha theksoi se qeveria e ka detyrim kushtetues të ndihmojë qytetarët në situatën e gjendjes së fatkeqësisë natyrore por ka vendosur të ndajë paratë me oligarkët.
“Janë dy gjëra që s’duhet të ngatërrohen. Mbështesim, inkurajojmë e do t’i japim kurajo protestës së drejtë të qytetarëve që tashmë ka nisur, për të drejtat e tyre. Ata nuk kërkojnë lëmoshë. E ka detyrim shteti t’i ndihmojë pasi Rama urdhëroi mbylljen e biznesit. Ligji i fatkeqësive natyrore e ka të shkruar që për çdo dëm material financiar që u vjen qytetarëve, shteti duhet t’i përgjigjet me ndihmë financiare. Pyetja sot është ku janë lekët e taksave të rritura të shqiptarëve. Taksat e çmimit të energjisë, të naftës. Opozita mbështet me të gjitha format e mënyrat protestat e qytetarëve për të kërkuar e fituar të drejtat e tyre e për t’i dhënë fund dështimit nga qeveria. Ajo që nuk do bëjmë është të shfrytëzojmë këtë zemërim popullor të drejtë për interesat tona politike, por do mbështesim gjithë qytetarët në kërkimin e të drejtave të tyre.” – tha Basha.