Deputeti Ralf Gjoni është shprehur kategorikisht kundër zgjatjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Ai përmendi si argument se tërmeti i 26 nëntorit ka shkaktuar më shumë viktima, po ashtu dhe gripi vitin e kaluar. Prandaj Gjoni kërkon që zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore të mos miratohet.
“Unë jam kategorikisht kundër shtyrjes së gjendjes së fatkeqësisë natyrore, e cila patjetër duhet bërë vetëm me pëlqimin e Kuvendit, por unë nuk shoh kushtet e përshtatshme për logjikën e kërkesës, për zgjatjen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore.
Unë nuk shoh fatkeqësi natyrore për momentin. Ndjesë kolegë, por 20 e kusur vdekje në llogjikën time të vlerësimit, nuk janë arsye e fortë për të shtyrë gjendjen e fatkeqësisë natyrore. Më shumë persona ka vrarë tërmeti i nëntorit se çka vrarë koronavirusi i famshëm. Më shumë njerëz ka vrarë gripi vitin e kaluar, se çka vrarë koronavirusi këtë vit në Shqipëri.
Pse kjo po ndodh në Shqipëri nuk e dimë, edhe pse është lajm i mirë për ne. Por realiteti është ky, në Shqipëri koronavirusi nuk po bën kërdinë. Ndaj jeta duhet të marrë ritmin e zakonshëm dhe nuk ka nevojë për zgjatjen e gjendjes së zakonshme, sepse kjo i jep tagrin qeverisë që të bëhet edhe më autoritare dhe të vazhdojë zullumet e saj.”– tha deputeti.