Vendosni fjalën kyçe....

Trump firmos urdhrin për pezullimin e emigracionit në SHBA


Ashtu siç kishte paralajmëruar, presidenti amerikan Donald Trump ka nënshkruar një urdhër ekzekutiv për të pezulluar përkohësisht miratimin e kartave jeshile.

Trump tha se kjo masë, e cila përmban një numër përjashtimesh, duhet të zgjasë 60 ditë dhe më pas mund të zgjatet akoma.

Siç shkruan BBC, Trump thotë se e ka marrë këtë vendim për të mbrojtur punët e punëtorëve amerikanë, në një ekonomi në krizë nga koronavirusi.

Por kritikët e tij e kanë akuzuar se po e përdor pandeminë për të zbatuar politikat e emigracionit që kishte ndërmend për një kohë të zgjatë, në një vit zgjedhor.

“Kjo do të sigurojë që amerikanët e papunë me të gjitha prejardhjet, do të jenë në radhë të parë për vendet e punës, pasi ekonomia jonë të rihapet”– tha Trump gjatë konferencës së së mërkurës në Shtëpinë e Bardhë.

Përjashtim nga kjo masë përbëjnë bashkëshortët e qytetarëve amerikanë dhe fëmijët e pamartuar nën moshën 21 vjeç.

Urdhri i presidentit amerikan gjithashtu pezullon Lotarinë e Vizave të Diversitetit, nga e cila përfitojnë “Green Card” rreth 50,000 njerëz çdo vit.

Të përjashtuar janë edhe qindra mijëra aplikantë që tashmë jetojnë dhe punojnë në SHBA, dhe ata që kërkojnë hyrje për të punuar si mjekë, infermierë ose profesionistë të tjerë të kujdesit shëndetësor.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *