Prej një muaji Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë po vijon mësimin online me studentët e ciklit Bachelor dhe Master.
Rutina e zakonshme akademike ka vijuar normalisht duke u përshtatur me situatën e krijuar nga pandemia e COVID 19.
Janë kordinuar të gjitha njësitë e Universitetit duke nisur nga rektorati, dekanati, departamentet dhe njësitë ndimëse për të mundësuar vijueshmërinë e mësimit.
Raportimet janë të përditshme nga këto hallka mbi ecurinë e mësimdhënies dhe po në të njëjtën mënyrë vijon angazhimi për kërkimin shkencor, ku konferencat dhe aktivitete të tjera të planifikuara, në pamundësi për t’u organizuar fizikisht janë zhvendosur gjithashtu online.
Njësitë e tjera që lidhen drejtpërdrejt me studentët si Këshilli Studentor dhe Klubet Studentore kanë qenë gjithashtu maksimalisht të angazhuara.
“Orari mësimor është ai i përcaktuar që në nisje të vitit akademik dhe pjesmarrja e studentëve monitorohet nga pedagogët”, sqarojnë drejtuesit e UMSH.
Ky kalim i detyruar në mësimdhënien online nuk ka qenë i vështirë për t’u praktikuar pasi prej 10 vitesh Universiteti Mesdhetar i Shqiperisë është pjesë e G-suite education, i familjarizuar me platformën nëpërmjet së cilës bëhet i mundur aksesimi i klasave virtuale në Google classroom dhe Google meet.
“Tashmë grupet e leksioneve dhe seminareve, zhvillojnë plotësisht programin mësimor të planfikuar për semestrin e dytë, ndërkohë që evidentohen pjesëmarrjet e studentëve në seminare, leksione si dhe angazhimi i pedagogëve”, u shpreh Dekani i fakultetit të Shkencave Juridike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Prof. Dr, Ksenofon Krisafi.
Ai bëri me dije se për vitin e ri akademik Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë do të ketë një ristrukturim të disa programeve mësimore.
“Duke nisur nga viti i ri akademik do të kemi një kalim nga sistemi 3+2 në sistemin 5 vjeçar. Pra programi i Fakultetit Juridik do të jetë një program i integruar i ciklit të dytë 5-vjeçar, që të përfshijë edhe Bachelor dhe Masterin”, u shpreh zoti Krisafi.
Universiteti Mesdhetar i Shqipërisë me tashmë 11 vjet, eksperiencë ofron për studentët 29 programe Bachelor dhe Master, ndërkohë që një program i ri Profesional dy-vjeçar do të hapet për të gjithë ata maturantë që nuk plotësojnë kriteret ligjore të mesatares për t’u pranuar në programet Bachelor.