19 raste të reja me Covid-19 janë shënuar në 24 orët e fundit në Maqedoninë e Veriut.
Ministria e Shëndetësisë në shtetin fqinj, ka publikuar të dhënat e reja, sipas të cilave rezulton se rastet e reja janë në: Shkup-3, Kumanovë-8, Prilep-2, Strugë-2, Veles-2, Gostivar-1, Vinicë-1.
Drejtori i shëndetit publik, Shaban Memeti tha se në institucionin që ai drejton deri në këto momente janë realizuar mbi 10 mijë teste.
Ndërkohë, siç shkruan Alsat, dy persona kanë ndërruar jetën në spitalin “8 Shtatori”.
Bëhet fjalë për një pacient 49-vjeçar nga Likova (Kumanova), i shtruar më 3 prill me vështirësi në frymëmarrje dhe gjatë gjithë kohës ka qenë në respirator, dhe për një pacient tjetër 73-vjeçar nga Shkupi i shtruar më 19 prill në gjendje të rëndë.
Instituti i Shëndetit Publik ka regjistruar gjithashtu 126 pacientë që janë shëruar plotësisht nga Covid-19, duke e çuar kështu numrin e përgjithshëm të të shëruarve në plot 500.