“Pandemia e koronavirusit ka prekur dhe Shqipërinë, por falë masave të shpejta të marra nga qeveria dhe angazhimit personal (ky është një fakt që askush nuk e mohon dhe merret si shembull nga të gjithë ndërkombëtarët, efektet e dëmeve janë më të ulëta se në periudhat e zakonshme gripale, në humbje të jetës njerëzore”- këto janë vetëm 18 sekondat e para të një kronike që zgjat më shumë se 4 minuta të TV Kukësit.
Kjo video ka disa ditë që po qarkullon dhe në rrjet kanë plasur gallatat, e madje e krahasojnë këtë kronikë me ato të Koresë së Veriut, apo se për propagandë si kjo e këtij televizioni lokal mund të kenë nevojë për disa leksione edhe gazetarët në Korenë e Veriut.
Nëse vazhdoni ndiqni më shumë kronikën, nuk do gjeni dot se ku është lajmi në artikull. Gazetarja thotë se masa si këto të marra nga kryeministri Rama s’i ka marrë asnjë vend tjetër. Thotë se askush përveç kryeministrit, nuk do më shumë që të hapet Shqipëria.
“Kundër këtyre masave vajtojnë duke çjerrë sytë vetëm ziliqarët, hajdutët, dashakeqësit, kriminelët, frekuentuesit e pabeve, pijanecët dhe qylxhinjtë e mejhaneve dhe disa politikanë të rënë nga fiku.”– thotë gazetarja e cila i shpreh mirënjohje kryeministrit që ka bashkuar shqiptarët nga veriu në jug dhe po fiton luftën me koronavirusin. Në kronikë madje flitet me kërshëri dhe për racën e shqiptarëve, që sot shihen me kulturë dinjitoze nga ndërkombëtarët.
Kronika e TV Kukësit bën parashikime të tilla si: rritja ekonomike nuk do të ndalet, mirëqenia nuk do të ulet, se në gjysmën e dytë të vitit Shqipërinë do ta përfshijë vrulli i punës, se turizmi do lulëzojë e dëmet nga tërmeti do rikuperohen.
E në fund kronika mbyllet me parashikimin se “dita e fitores është pranë, jo më pak se 2-3 javë”./Hashtag.al