Vendosni fjalën kyçe....

Manastirliu prezanton masat lehtësuese: Nisin nga e hëna


Ministrja e Shëndetësisë dhe e Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu, ka dalë në një deklaratë për mediat, ku prezanton planin me masat lehtësuese që do të nisin që nga e hëna.

Ministrja tha se duke nisur nga dita e hënë do të ndryshojë fasha e orarit për qytetarët, të cilët tashmë do të kenë në dispozicion të tyre 2 orë.

“Duke filluar nga dita e hënë, datë 27 Prill, do të zgjerohet fasha e lëvizjes për qytetarët nga 90 minuta në 2 orë, duke ruajtur parametrat e sigurisë të distancimit social dhe duke zgjeruar mundesinë e kryerjes së shërbimeve thelbësore në një hapësire kohore më të gjerë.”, tha Manastirliu.

Ministrja tha se nga data 27 prill, do të lejohen të ushtrojnë aktivitetin dhe bizneset si më poshtë:
-Dyqanet e veshjeve
-Të tekstileve
-Të këpucëve dhe artikujve prej lëkure
-Dyqanet që tregojnë mobilje, pajisje të ndriçimit dhe artikujve shtëpiakë
-Dyqanet e luleve, bimëve, të kafshëve të shtëpisë dhe ushqimit të tyre në dyqane të specializuara
-Shërbimi Taxi
-Dyqanet e pajisjeve elektronike, lodrave për fëmijë, pajisjet sportive, pajisjet e telekomunikacionit.

Lista e plotë e bizneseve që do hapen nga dita e hënë, gjendet e plotë në portalin E-Albania. Këto biznese do të lejohen të ushtrojnë veprimtarinë e tyre nga ora 05:00-17:30, vetëm duke plotësuar dhe zbatuar protokollet e miratuara, duke siguruar kushtet e detyrueshme higjieno sanitare dhe respektimin e distancimit fizik, për të garantuar sigurinë e qytetarëve dhe punonjësve.

Po ashtu, nga dita e hënë do të fillojnë lehtësimet e posaçme për lëvizjet në zonat e gjelbërta.

“Në kuadër të lehtësimit gradual dhe të kujdesshëm të masave, bazuar në vendimin e komitetit të ekspertëve, nga dita e hënë datë 27 prill, do të fillojë lehtësimet e posatcme për lëvizjen në “zonat e gjelbërta”.
Janë klasifikuar si zona të gjelbërta ato qarqe apo bashki të cilat rezultojnë deri sot, me risk të ulët të transmetimit të infeksionit të shkaktuar nga COVID19.
Zonat si më poshtë:
Qarku Dibër
Qarku Gjirokastër
Zona e përbashkët e bashkive Sarandë, Konispol, Himarë, Delvinë dhe Finiq;
Zona e përbashkët e bashkive Prrenjas, Pogradec dhe Librazhd
Si dhe Bashkia Divjakë.”– tha Manastirliu.

Ministrja theksoi se në zonat e gjelbërta, lëvizja e pensionistëve do të jetë nga 6:00- 08:30 të mëngjesit.
Qytetarët e tjerë do të lëvizin nga ora 09:30 deri 17:30, të shoqëruar jo më shumë se me një person.
“Përjashtim do të bëjnë qytetarët që kanë autorizim pune, të cilët nuk kufizohen nga oraret e sipërpërmendura.”– theksoi ajo.

Në zonat e gjelbërta parqet do të vazhdojnë të jenë të mbyllura edhe për 14 ditë dhe nuk do të lejohet grumbullimi dhe qëndrimi i më shumë se dy personave bashkë në hapesirat publike.

Ministrja sqaroi dhe orarin e qarkullimit të automjeteve në këto zona. Ajo tha se lëvizja do lejohet për vetëm tetë orë, nga ora 09:30 deri në 17:30. E po ashtu do lejohet vetëm një pasagjer.

“Sa i takon mjeteve private të transportit ato do të lejohen të qarkullojnë pa autorizim vetëm brenda Qarkut ose Bashkive përkatëse nga ora 09:30 deri 17:30, vetëm me një pasagjer.
Është e rëndësishme të theksohet se nuk do të lejohet lëvizja me mjet privat ose si pasagjer i pensionistëve, përveç rasteve me autorizim për arsye shëndetësore.
Përtej këtij orari mund të qarkullojnë vetëm mjetet që kanë autorizimin përkatës nga e-Albania.
Pavarësisht se ka zona të gjelbërta, normaliteti i ri i bashkëjetesës me virusin, do vijojë të kërkoje lëvizje të kufizuara, vetëm për arsye thelbësore, duke ruajtur ne cdo rast distancimin fizik dhe respektimin me rigorozitet të masave të sigurisë në punë dhe ne komunitet.
Situata është dinamike dhe si e tillë do të vlerësohet hap pas hapi. Me kujdes dhe përgjegjësi maksimale, për mbrojtjen së pari dhe mbi të gjitha, të jetës dhe shëndetit të qytetarëve”, tha Manastirliu./Hashtag.al


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *