Kryeministri britanik Boris Johnson jep deklaratën e tij të parë, pas betejës së tij me koronavirusin.
“Mirëmëngjes, më vjen keq që kam qenë larg nga tavolina e zyrës sime, për më gjatë se do të kisha dashur dhe dua të falenderoj të gjithë që kanë bërë punën time, në veçanti ministrin Dominic Raab, që ka bërë një punë të mrekullueshme.
Por edhe njëherë tjetër dua t’ju falenderoj ju, njerëzit e këtij vendi, për guximin që keni treguar dhe vazhdoni të tregoni.”- janë fjalët e para të Johnson.
Johnson tha se është ende shumë shpejt për të lehtësuar masat e marra ndaj koronavirusit. Ai tha se nuk do të rrezikojë më tej jetën e britanikëve, pasi është shumë herët.
“Unë mund të shoh pasojat afatgjata të mbylljes, aq qartë sa çdokush. Megjithatë duhet të njohim rrezikun e një goditjeje të dytë. Kjo do të nënkuptonte jo vetëm një valë të re vdekjesh dhe sëmundjesh, por edhe një katastrofë ekonomike dhe do të detyroheshim edhe një herë të ri-vendosnim kufizime. E di se është e vështirë, por nuk pranoj të hedh poshtë të gjitha përpjekjet dhe sakrificën e popullit britanik për të rrezikuar një shpërthim të dytë të madh dhe humbje jetësh”- është shprehur Johnson.
Kryeministri britanik ka kaluar dy javë duke u rikuperuar nga koronavirusi, pasi qëndroi për disa ditë në kujdes intensiv.
Ai nuk është parë në publik që nga 12 prilli, kur publikoi një video pas daljes nga spitali për të falenderuar mjekët.