Vendosni fjalën kyçe....

Jacinda Ardern: Zelanda e Re ka “fituar betejën” kundër transmetimit të Covid-19 në komunitet


Kryeministrja e Zelandës së Re, Jacinda Ardern, ka thënë se vendi i saj ka ndaluar “transmetimin e fshehur në komunitet” të Covid-19, teksa planifikohen të lehtësohen kufizimet e rrepta të bllokimit nga e hëna në mbrëmje.

Ardern tha që Zelanda e Re e kishte “shmangur më të keqen” e pandemisë, por duhet të vazhdojë të luftojë virusin.

 “Nuk ka një transmetim të fshehur në komunitet në Zelandën e Re. Ne kemi fituar atë betejë. Por ne duhet të mbetemi vigjilentë nëse duam ta vazhdojmë në këtë mënyrë“- tha ajo, citon The Guardian.

Duke nisur nga ora 23.59 sot, Zelanda e Re do të heqë bllokimin e nivelit 4 të rrezikut, i cili ka qenë në vend për më shumë se katër javë. Gjatë kësaj kohe, pothuajse të gjitha bizneset kanë qenë të mbyllura, së bashku me shkollat, ndërsa popullatës i është kërkuar të qëndrojnë në shtëpitë e tyre, përveç vizitave në supermarkete dhe shëtitjet e shkurtra.

Ardern tha që nuk kishte asnjë mënyrë për të ditur se çfarë mund të ketë ndodhur pa bllokimin e nivelit 4.

Por ajo paralajmëroi që në nivelin-3 ekzistojnë rreziqe të reja si përshembull, njerëzit kanë më shumë kontakt me të tjerët.

Niveli 3 do të lejojë rihapjen e shitësve me pakicë, restoranteve dhe shkollave në një shkallë të vogël.

Të mërkurën ripahen shkollat ​​ për fëmijë deri në 10-vjeç, të cilët nuk mund të studiojnë nga shtëpia, ose prindërit e të cilëve duhet të kthehen në punë.

Sidoqoftë, kryeministrja paralajmëroi njerëzit të mos bëjnë mbledhje të mëdha familjare.

“Ne po hapim ekonominë, por ne nuk po hapim jetën shoqërore të njerëzve”– tha Ardern.

Ajo shtoi që vendi do të qëndrojë në nivelin 3 për dy javë përpara se kabineti të vendosë nëse do të kalonte në nivelin 2.

“Ne mund ta bëjmë këtë vetëm nëse vazhdojmë të ruhemi. Nëse duhet të qëndrojmë në nivelin 3 për më gjatë, do qëndrojmë. ”- tha Ardern.


Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *