Gazetari Baton Haxhiu ka deklaruar tre ditë më parë se marrëveshja mes Kosovës e Serbisë sipas tij duhet të ketë tre elementë.
Ai ishte i ftuar në televizionin T7 në Prishtinë ku ndër të tjera shpjegoi edhe ato çështje që sipas tij duhet t’i ketë një marrëveshje mes dy vendeve.
Haxhiu tha se Gjykata Speciale duhej zhbërë, se dy vendet duhet të bëjnë amnisti për atë që ka ndodhur 20 vite më parë gjatë konfliktit, të falin krimet e luftës dhe se duhej përcaktuar e ardhmja e veriut të Kosovës.
“Kemi tri elemente që duhet të ketë marrëveshja. E para është Gjykata Speciale dhe zhbërja e saj. E dyta ka të bëj me amnistinë në të dy vendet, pas 20 vitesh s’kanë çfarë dënohen më njerëzit. Dhe e treta është definimi i veriut. Nuk ka probleme të tjera me marrëveshjen”, tha Haxhiu.
Dialogu mes Serbisë e Kosovës vijon të jetë i bllokuar që prej vendosjes së taksës ndaj mallrave serbe prej ish-kryeministrit Haradinaj.
Pasuesi i tij, Kurti, e ka hequr taksën për lëndën e parë ndaj mallrave serbe ndërsa ka thënë se do e zëvendësojë atë me reciprocitet.