Presidenti i Republikës, Ilir Meta ka vlerësuar sjelljen e opozitës gjatë pandemisë si edhe e ka cilësuar të drejtë kërkesën për shtimin e testimeve.
Ndërsa për sa i përket çështjes së tenderave të kreu i shtetit tha se është një temë e cila i takon drejtësisë.
“Vlerësoj se opozita kanë qenë mjaft aktive gjatë kësaj kohe dhe kanë dhënë mendimet e tyre, madje kanë respektuar kufizimet. Pra asnjëherë nuk i kanë kundërshtuar kufizimet si masë mbrojtëse për shëndetin e qytetarëve. Kërkesa e tyre për shtimin e testimeve ka qenë një kërkesë tërësisht e drejtë. Sa i përket pretendimeve të tyre për çështjen e tenderave, gjykoj se fjalën për këtë duhet ta thotë drejtësia”- tha Kreu i Shtetit në intervistë në RTV Ora.
Gjithashtu, Meta komentoi dhe ndryshimet në Kodin Penal. Ai u shpreh se “nuk ka pasur asgjë anti-kushtetuese në këto ndryshime të miratuara në Kodin Penal, përkundrazi ka pasur një boshllëk. Unë besoj që ato dispozita të ndryshuara që janë miratuar me propozim të Presidentit të Republikës janë me standardet më të avancuara europiane, veçanërisht krahasuar me ato daneze”.