Ndërkohë që BE-ja dhe SHBA-ja vijojnë të fajësojnë Kinën për dezinformim në lidhje me pandeminë e COVID-19, Pekini edhe njëherë tjetër i ka hedhur poshtë këto pretendime.
Siç shkruan Reuters, Kina këmbëngul se është në të vërtetë objektiv i fushatës së dezinformimit të dikujt tjetër.
“Kina është viktima, dhe jo nxitësi i një fushate dezinformimi për koronavirusin”- tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Geng Shuang.
Zëdhënësi po i përgjigjej një raporti nga Shërbimi Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS), i cili e veçon Kinën si fajtorin kryesor në drejtimin e “operacioneve të fshehta” të paspecifikuara në mediat sociale.
Akuzat se Kina fsheh shtrirjen e pandemisë kanë qarkulluar për javë me radhë. Presidenti amerikan Donald Trump e ka akuzuar Kinën se po fsheh numrin e vërtetë të vdekjeve nga Covid-19.
Europa duket se po ndjek gjurmët e SHBA-ve, pasi sipas raportit të lartpërmendur, Kina ka shpërndarë një ushtri robotësh për të forcuar ndikimin e llogarive të mediave sociale të drejtuara nga ambasadat e saj.