Kryeministri Edi Rama ka treguar disa nga bizneset që rrezikohen si të rrezikshme për tu hapur së shpejti për shkak të riskut që paraqesin për përhapjen e koronavirusit.
Sipas kryeministrit i cili ishte i ftuar në distancë në emisionin “Real Story” në News 24, bizneset që nuk mund të hapen së shpejti janë, qendrat tregtare, lokalet, restorantet përfshirë dhe parukeritë.
“Tani që flasim kemi afër 90% të biznesit në punë. Kështu që hapja jonë në aspektin e rikthimit në vendet e punës është masive, më masive se vendet e tjera. Janë disa aktivitete të tjera që do të hapen javën e ardhshme dhe pastaj mbeten disa aktivitete që lidhen direkt me përhapjen e virusit, si qendrat tregtare, lokale, restorante, përfshirë edhe parukeritë.
Janë shumë të rrezikshme, se mjafton një klient i infektuar, ta transmetojë virusin te parukieret, klientët e tjerë, familjarët, etj. Akoma nuk kemi hapur kufijë mes qyteteve dhe kjo do të ndodhë në javët në vijim, por nuk e dimë akoma kur. Po bëjmë një fragmentim të valës, duke u hapur në zonat e gjelbërta, ku do të shtojmë në fund të kësaj jave disa zona të reja. Por kthimi në normalitet, siç ishte para virusit, do të jetë vetëm kur të gjendet vaksina. Do të jetojmë edhe dy-tre vjet me rrezikun se mund të infektohemi”-tha Rama.