Argjentina ka ndaluar të gjitha fluturimet tregtare të brendshme dhe ndërkombëtare deri më 1 shtator, për shkak të shpërthimit të koronavirusit.
Autoritetet argjentinase thanë që linjat ajrore nuk do të lejohen të shesin bileta për fluturime për katër muajt e ardhshëm.
Por siç shkruan BBC, grupet e industrisë së aviacionit thanë që për shkak të kësaj mase, mijëra njerëz mund të humbin punën e tyre.
Argjentina mbylli kufijtë e saj në mars, duke vendosur masa të ashpra karantine.
Sipas shifrave të Universitetit Johns Hopkins, vendi aktualisht ka afro 4,000 raste të konfirmuara me koronavirus, ndërsa janë shënuar 192 viktima.
Cili ka qenë reagimi?
Administrata Kombëtare e Aviacionit Civil të vendit nxori një dekret të hënën, duke ndaluar shitjet e biletave për fluturime komerciale. Dekreti e përshkroi 1 shtatorin si një datë “të arsyeshme”.
Por Agjensia ndërkombëtare e aviacionit, Iata, i dërgoi një letër qeverisë argjentinase, duke thënë se vendimi shkelte marrëveshjet bilaterale dhe rrezikonte më shumë se 300,000 vende pune.
Shumë vende në Amerikën e Jugut kanë ndaluar fluturimet tregtare, por asnjëra nuk e ka zgjatur ndalimin për aq kohë sa Argjentina.