Austriakët së shpejti do të jenë në gjendje të lëvizin pa kufizime dhe të mblidhen në grupe prej 10 personash, pasi masat anti-Covid19 do të hiqen gradualisht duke filluar nga fillimi i majit.
Lehtësimi i masave të izolimit u njoftua nga Ministri i Shëndetësisë, Rudolf Anschober, i cili tha se përhapja e koronavirusit të ri mbetet mjaft i ngadaltë dhe parashikimi për muajin e ardhshëm duket “shumë i mirë”.
Ai gjithashtu tha se kombi është përballur me epideminë “shumë mirë”, falë popullatës, e cila “e bëri të mundur”.
Ministri tha se dalja jashtë do të lejohet përsëri duke filluar nga 1 maji, megjithëse një “distancë minimale” prej një metri midis njerëzve në hapësira publike duhet të respektohet ende.
Ministri i Brendshëm, Karl Nehammer, njoftoi gjithashtu se tubimet publike deri në 10 persona do të lejohen në të ardhmen e afërt. Sidoqoftë, kufiri i ri nuk do të zbatohet për demonstrime, vuri në dukje ai.
Rregullat e reja do të qëndrojnë në vend deri të paktën në fund të qershorit, tha qeveria, duke shtuar se “hapja” mund të ndalet në çdo kohë nëse situata përkeqësohet përsëri.
Ndërkohë, austriakët tashmë mund të planifikojnë disa udhëtime pushimesh – megjithëse vetëm brenda kufijve të kombit – pasi Ministrja e Turizmit, Elisabeth Koestinger, tha se hotelet në të gjithë vendin do të lejohen të hapen më 29 maj, së bashku me Kopshtet Zoologjike e pishinat.
Qeveria ka njoftuar më herët se dyqanet e vogla mund të rihapen nga 1 maji, ndërsa restorantet dhe shkollat është planifikuar të rifillojnë punën e tyre në 15 maj.